Kosova

Kolona në kufi, deri në 90 minuta pritje në Dheu i Bardhë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar për gjendjen e fundit në pikat e kalimit kufitar, ku në disa prej tyre vazhdojnë të ketë pritje të zgjatura dhe kolona të automjeteve.

Sipas të dhënave të fundit, pritjet më të mëdha për hyrje në Kosovë janë regjistruar në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku udhëtarët po presin deri në 90 minuta. Kolona në këtë pikë ka arritur rreth 400 metra. Ndërkohë, për dalje nga Kosova në të njëjtën pikë, pritjet janë afërsisht 50 minuta dhe kolona mbetet rreth 400 metra.

Në pikën kufitare Jarinjë, pritjet për hyrje janë nga 30 deri në 40 minuta, me kolonë rreth 350 metra, ndërsa në Merdarë udhëtarët po presin rreth 25 deri në 30 minuta, me kolonë afërsisht 300 metra.

Pritje janë shënuar edhe në pika të tjera. Në Muçibabë, hyrja në Kosovë kërkon deri në 15 minuta, ndërsa dalja rreth 60 minuta, me kolonë që ka arritur në 500 metra. Në Han të Elezit, pritjet janë më të shkurtra, rreth 10 minuta për hyrje dhe 20 minuta për dalje, ku kolona arrin deri në 150 metra.

Në vendkalimet e tjera kufitare, qarkullimi po zhvillohet pa pengesa të mëdha, ndërsa koha e pritjes nuk kalon më shumë se pesë minuta