Kosova

Kurti organizoi takim me mërgatën në Ballkonin e Hapur

Në Ballkonin e Hapur të Qeverisë së Republikës së Kosovës u mbajt një takim me bashkatdhetarë nga mërgata, ku u diskutua për rëndësinë e diasporës dhe rolin e saj në zhvillimin e vendit.

Gjatë takimit u vlerësua kontributi i vazhdueshëm i mërgatës, duke theksuar se ajo përfaqëson një vazhdimësi të natyrshme të jetës kombëtare dhe një urë lidhëse të Kosovës me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e ruajtjes së gjuhës, traditave dhe identitetit kombëtar në diasporë.

Në këtë rast u theksua se institucionet e Kosovës synojnë të forcojnë lidhjet me mërgatën përmes politikave që mbështeten në solidaritet, shërbim dhe krijimin e mundësive konkrete për përfshirjen e saj. U ritheksua gjithashtu se shteti ka përgjegjësi t’u shërbejë qytetarëve të tij si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Gjatë takimit u bë e ditur se angazhimi i mërgatës do të zërë një vend të rëndësishëm në hartimin e politikave publike, me synimin që diaspora të ketë rol aktiv në proceset zhvillimore dhe në vendimmarrjen e vendit.