Kosova

Mehaj në Hagë takon ish-krerët e UÇK-së: Kërkohet drejtësi, jo mëshirë për çlirimtarët

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka qëndruar në Hagë, ku ka zhvilluar një vizitë te ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas vizitës, Mehaj ka deklaruar se ish-krerët e UÇK-së nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një proces të drejtë dhe të paanshëm.

Sipas tij, pjesëtarët e UÇK-së u angazhuan në luftë për mbrojtjen e familjeve dhe vendit të tyre, ndërsa liria e Kosovës, siç ka thënë ai, erdhi përmes sakrificave të mëdha.

Mehaj ka theksuar se dënimi i atyre që, sipas tij, mbrojtën vendin nga agresioni do të ngrinte pikëpyetje për mesazhin që i dërgohet komunitetit ndërkombëtar. Ai ka shtuar se mbrojtja e atdheut nuk duhet të konsiderohet vepër penale.

Ai ka bërë thirrje për drejtësi të pavarur, pa ndikime politike apo presione nga faktorë të jashtëm, duke nënvizuar se e vërteta nuk duhet të ndikohet nga politika.

Ish-ministri ka thënë se vendi i ish-krerëve të UÇK-së është pranë familjeve dhe popullit të tyre, ndërsa ka kërkuar që mbështetja për ta të shprehet jo vetëm me fjalë, por edhe përmes qëndrimeve dhe unitetit.

“Historia nuk mbrohet duke heshtur”, ka deklaruar Mehaj, duke shtuar se ruajtja e kujtesës për sakrificën e çlirimtarëve lidhet me mbrojtjen e së vërtetës dhe dinjitetit të Kosovës.