Lajme
SRF: FC Kosova Cyrih, klubi që u shndërrua në urë integrimi përmes futbollit
Media publike zvicerane SRF i ka kushtuar një reportazh të veçantë klubit FC Kosova Cyrih, duke e paraqitur atë si një shembull të integrimit dhe bashkëjetesës përmes sportit.
Në stadiumin Juchhof në lagjen Altstetten të Cyrihut, një ditë e zakonshme ndeshjeje tregon se ky klub është shumë më tepër sesa një ekip futbolli. Përtej 90 minutave në fushë, rreth tij është krijuar një komunitet i gjerë me familje, tifozë, sponsorë, lojtarë dhe shumë fëmijë.
“FC Kosova Cyrih është familja ime e dytë”, shprehet presidenti i klubit, Nesret Limani, i cili sipas SRF-së po udhëheq zhvillimin e klubit duke ruajtur frymën familjare dhe duke e hapur atë edhe më shumë ndaj komunitetit.
Nga klub i emigrantëve në klub të qytetit
Sipas reportazhit të SRF-së, kur u themelua në vitin 1994, FC Kosova Cyrih kishte një rol të rëndësishëm për shumë shqiptarë nga Kosova që jetonin në Zvicër. Në periudhën e luftës dhe pas saj, klubi u bë një pikë takimi, mbështetjeje dhe ruajtjeje të identitetit.
Sot, brezi i parë e themeloi klubin, brezi i dytë e drejton atë, ndërsa brezi i tretë është pjesë e ekipeve të të rinjve.
“Jemi kaluar nga një klub emigrantësh në një klub të qytetit të Cyrihut, por rrënjët tona mbeten pjesë e identitetit tonë”, citohet të ketë thënë presidenti Limani.
SRF thekson se edhe përbërja e ekipit të parë pasqyron këtë transformim: në të luajnë futbollistë zviceranë, kosovarë, spanjollë, portugezë dhe kroatë.
Trajneri Emilio Gesteiro, vetë me prejardhje nga një familje emigrantësh spanjollë, e përshkruan atmosferën në klub si të veçantë.
“Që nga vullnetarët e deri te lojtarët, ndjehet një frymë e fortë bashkimi”, thotë ai.
Më shumë se një klub futbolli
Gazetarët e SRF-së vërejnë se atmosfera rreth fushës tregon qartë pse shumë anëtarë e quajnë FC Kosova Cyrih një “familje”.
Fëmijë, prindër, gjyshër dhe tifozë mblidhen rreth ekipit, ndërsa sponsorët dhe mbështetësit janë pjesë aktive e jetës së klubit.
Një prej tyre është Fadil Kqiku, i cili e njeh klubin që nga fillimet. Ish-lojtari i FC Kosova Cyrih sot e mbështet klubin edhe financiarisht.
“Është një vend takimi ku njerëz nga prejardhje të ndryshme bashkohen. Pikërisht kjo e bën klubin të veçantë”, thotë ai.
Emri Kosovë – krenari dhe përgjegjësi
Sipas SRF-së, emri “Kosova” për shumë anëtarë të klubit përfaqëson identitet dhe krenari, por njëkohësisht sjell edhe sfida për shkak të paragjykimeve që mund të ekzistojnë.
Trajneri Gesteiro thotë se ndonjëherë klubi duhet të përballet me stereotipe të lidhura me emrin.
“Ne kemi një klub shumë korrekt dhe një ekip të përzier. Futbolli ynë tregon se kush jemi në të vërtetë”, shprehet ai.
Për Arbenita Limanin, bashkëshorten e presidentit të klubit, hapja ndaj të gjithëve është një nga vlerat kryesore.
“Nuk ka rëndësi prejardhja e dikujt. Ne i mirëpresim të gjithë me krahë hapur”, thotë ajo.
Një klub që përfaqëson Cyrihun e sotëm
SRF vlerëson se FC Kosova Cyrih sot përcaktohet më pak nga origjina e tij dhe më shumë nga komuniteti i hapur që ka krijuar.
Në klub flitet kryesisht gjermanisht, por shumë anëtarë komunikojnë edhe në shqip, spanjisht, portugalisht dhe gjuhë të tjera.
Mes figurave të klubit janë edhe futbollistë me përvojë të mëparshme në nivele të larta. Francisco Rodríguez, ish-lojtar i FC Zürich dhe VfL Wolfsburg, sot luan për FC Kosova Cyrih së bashku me vëllain e tij Roberto, ndërsa vëllai i tyre Ricardo ka qenë për vite pjesë e rëndësishme e kombëtares zvicerane.
Ambicie sportive dhe sociale
Për të ardhmen, FC Kosova Cyrih synon krijimin e një sektori për vajza dhe gra, ndërsa në aspektin sportiv klubi ëndërron ngjitjen në një nivel më të lartë garash.
Megjithatë, drejtuesit insistojnë se suksesi i klubit nuk matet vetëm me rezultatet sportive.
Siç përmbledh edhe reportazhi i SRF-së, vlera më e madhe e FC Kosova Cyrih është ajo që nuk shfaqet në tabelën e kampionatit: ndjenja e përkatësisë dhe komuniteti që ka ndërtuar/albinfo.ch/
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Mediat zvicerane: Diaspora po e gjallëron jetën e natës në Prishtinë Mediat zvicerane kanë raportuar se gjatë sezonit veror, kur mijëra bashkatdhetarë kthehen në Kosovë për pushime,... -
127 fluturime direkte në një javë mes Prishtinës dhe Gjermanisë -
Mërgimtarët vazhdojnë të vijnë në Kosovë, pa pritje të gjata në kufij -
Londër
Me plisa në kokë dhe me ushqime tradicionale, kadetët e FSK-së prezantojnë Kosovën në Britani -
Kishte ardhur nga Italia për pushime, sot i jepet lamtumira e fundit
Jeta në Austri
-
Vizitorët ndotin Danubin e Vjetër Danubi i Vjetër është një nga destinacionet më të njohura të larjes në Vjenë. Por vizitorët... -
25% e fëmijëve gjermanë që jetojnë në Austri humbasin një vit shkollor -
Rita Ora emocionon Vjenën, shpërthen në lot teksa flet për rrënjët nga Kosova -
Austri
Rita Ora elektrizoi skenën në Vjenë me hitet e saj botërore -
Euro drejt ndryshimit, BQE prezanton modelet e reja të kartëmonedhave











