Gjykata Kushtetuese e kantonit të Gjenevës ka pezulluar përkohësisht zbatimin e ligjit që ndalon përdorimin e burkinit në pishinat publike, përcjell albinfo.ch.
Ligji, i miratuar në muajin mars nga shumica e djathtë në Parlamentin kantonal, parashikonte që veshjet e notit në pishinat publike të përfundonin mbi gju dhe të linin krahët të zbuluar, çka ndalonte përdorimin e burkinive.
Megjithatë, disa komuna dhe organizata e kundërshtuan këtë vendim në gjykatë. Pas shqyrtimit të ankesave, Dhoma Kushtetuese vendosi të pezullojë zbatimin e ligjit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Ankesa ishte paraqitur nga organizata Coordination for Inclusive Swimming, ndërsa gjykata argumentoi se ankuesit kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me shkeljen e disa të drejtave themelore, duke e konsideruar të arsyeshme pezullimin e përkohshëm të ndalimit.
Vendimi do të thotë se, deri në përfundimin e procedurës gjyqësore, burkini mund të vazhdojë të përdoret në pishinat publike të Gjenevës./Albinfo.ch