Lajme

Shumë kantone zvicerane ndalojnë plotësisht ndezjen e zjarreve

Thatësira dhe temperaturat e larta detyrojnë autoritetet të marrin masa të rrepta për të parandaluar zjarret në pyje

Për shkak të valës së gjatë të të nxehtit dhe mungesës së reshjeve, një numër gjithnjë e më i madh kantonesh në Zvicër kanë vendosur ndalim të plotë të ndezjes së zjarreve në ambiente të hapura, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rreziku i zjarreve në pyje mbetet shumë i lartë.

Masat janë në fuqi në disa kantone, përfshirë Fribourg, Glarus, Neuchâtel, Ticino, Uri, Vaud dhe Valais, si dhe në disa rajone të Graubündenit.

Në këto zona ndalohen të gjitha zjarret në ambiente të hapura, përfshirë përdorimin e skarave, ndezjen e fishekzjarrëve dhe çdo aktivitet tjetër që mund të shkaktojë flakë.

Disa qytete dhe komuna kanë vendosur kufizime edhe më të rrepta se ato kantonale, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet federale theksojnë se, edhe pse në disa rajone mund të ketë reshje të izoluara, ato nuk janë të mjaftueshme për të ulur ndjeshëm rrezikun. Për këtë arsye, qytetarëve u kërkohet të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, pasi edhe një shkëndijë e vogël ose një bisht cigareje mund të ndezë vegjetacionin e tharë.

Ekspertët e zjarrfikësve kanë bërë thirrje që, nëse kushtet e motit vazhdojnë të jenë të njëjta, të shqyrtohet edhe ndalimi i fishekzjarrëve për festën kombëtare të Zvicrës më 1 gusht, për të shmangur rrezikun e zjarreve në të gjithë vendin.