Kolonat e automjeteve në hyrjen veriore të tunelit të Gotthardit janë zgjatur deri në 15 kilometra mëngjesin e së shtunës, teksa mijëra persona janë nisur për pushimet verore, përcjell albinfo.ch.
Sipas të dhënave të fundit, trafiku nisi të rëndohej që rreth orës 03:00, kur kolona ishte rreth 8 kilometra, ndërsa pak para orës 07:00 ajo arriti në 15 kilometra, transmeton albinfo.ch.
Drejtuesit e automjeteve duhet të llogarisin një pritje prej mbi dy orësh për të kaluar tunelin.
Situata është rënduar edhe nga punimet në tunel, të cilat kanë ngushtuar korsitë e qarkullimit dhe kanë shkaktuar vonesa shtesë.
Autoritetet u rekomandojnë udhëtarëve që, nëse është e mundur, të përdorin rrugën alternative A13 përmes San Bernardinos, për të shmangur kolonat e gjata drejt jugut të Zvicrës. /Albinfo.ch