Lajme

Rrufeja vret 97 dele në një kullotë alpine në Valais

Tufa ishte grumbulluar gjatë natës për t’u mbrojtur nga grabitqarët, kur një stuhi e fortë goditi zonën.

Një stuhi e fuqishme ka shkaktuar një tragjedi në një kullotë alpine në kantonin Valais, ku 97 dele të racës Schwarznasen ngordhën pasi u goditën nga rrufeja, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi në natën mes të enjtes dhe të premtes në Eggerhorn, në luginën Binntal. Sipas mediave zvicerane, rreth 80 dele të tjera arritën t’i mbijetonin stuhisë, transmeton albinfo.ch.

Në momentin e goditjes nga rrufeja, tufa ishte grumbulluar në një rrethim nate për t’u mbrojtur nga grabitqarët e mëdhenj. Blegtori Kilian Schnydrig tha se, përveç dëmit të madh financiar, humbja është edhe emocionale, pasi shumë prej deleve ishin rezultat i punës shumëvjeçare në mbarështimin e kësaj race karakteristike zvicerane.

Ai shtoi se deri para pak vitesh nuk kishte nevojë që delet të futeshin në rrethim gjatë natës, por shtimi i rrezikut nga grabitqarët i ka detyruar blegtorët të marrin masa të tilla mbrojtëse. /Albinfo.ch