Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Dr. Imer Hajdarit, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij, përcjell albinfo.ch.
Në telegramin e ngushëllimit, organizata theksoi se Dr. Hajdari shërbeu për shumë vite me përkushtim dhe profesionalizëm në Mynih të Gjermanisë dhe në Cyrih të Zvicrës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në profesionin e tij.
“Në emër të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Hajdari, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të”, thuhet në telegram.
Më tej, Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër vlerësoi se kontributi i Dr. Hajdarit në shërbim të pacientëve dhe përkushtimi i tij ndaj profesionit do të mbeten një kujtim i çmuar dhe një shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për Dr. Imer Hajdarin”, përfundon telegrami i ngushëllimit i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër./Albinfo.ch