Kosova

Bedri Hamza pranon ftesën e Kurtit për takim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka pranuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takimin e nesërm, për të diskutuar për formimin e institucioneve.

Pas takimit të Kryesisë, para mediave ai deklaroi se kjo parti e ka më me prioritet adresimin e sfidave të Kosovës sesa ndarjen e posteve.

“Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat e kam thënë dhe e ripërsëris është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar të ministrive, të ketë një kryetar kuvendi, presidentin apo sidoqoftë. Ftesa duhet të dërgohet në mënyrën se si e kërkon rendi që të dërgohet nga kryetari i partisë me numrin më të madh të ulëseve të siguruara në Kuvendin e Kosovës dhe të mbahet në objektet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.