Lajme
Zgjerohet hendeku i pagave në Zvicër: Fitimet e larta fluturojnë, shtresa e mesme stagnon
Hendeku i pagave në Zvicër ka pësuar një rritje të ndjeshme që nga viti 2016. Ndërsa të ardhurat e personave me paga të larta janë rritur me ritme të shpejta, pagat e shtresës së mesme dhe të ulët kanë mbetur në vendnumëro. Ky është përfundimi i raportit më të ri mbi shpërndarjen e të ardhurave, të publikuar nga Federata e Sindikatave Zvicerane (SGB).
Sipas raportit, të ardhurat mujore të disponueshme për personat me paga të ulëta dhe të mesme ranë midis viteve 2016 dhe 2025. Në të kundërt, për 0.1 përqindëshin e popullsisë me të ardhurat më të larta, këto vlera u rritën me mbi 6,500 franga në muaj. Për më tepër, pagat reale të 1% të punonjësve më të paguar janë rritur me mbi 16% që nga viti 2016.
Stagnim i pagave reale për shtresën e mesme
Raporti tregon se pagat mesatare reale kanë stagnuar në tetë vitet e fundit para vitit 2026. Kjo përbën një kontrast të fortë me periudhën 2006–2016, kur pagat rriteshin me 0.9% në vit në terma realë, pavarësisht krizës financiare, transmeton albinfo.ch.
Edhe pse produktiviteti në Zvicër është rritur me rreth 1% çdo vit, ky progres nuk është reflektuar në kuadrat e pagave të punëtorëve. Nga kjo rritje kanë përfituar kryesisht punëdhënësit dhe aksionarët përmes marzheve më të larta të fitimit dhe pagesave të dividentëve. Në shumë raste, punonjësit nuk kanë marrë as indeksimin e nevojshëm për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.
Konflikti për ndarjen e pasurisë
Sven Zaugg, redaktor i ekonomisë në radion dhe televizionin publik zviceran (SRF), thekson se ky raport prek një pikë delikate të debatit politik:
”Zvicra mbetet ekonomikisht e begatë, por shumë punonjës ndiejnë se standardi i tyre i jetesës po stagnon. Mesazhi kryesor i raportit është se progresi ekonomik i viteve të fundit po shpërndahet në mënyrë të pabarabartë.”
Nga ana tjetër, punëdhënësit e kundërshtojnë këtë qëndrim. Ata argumentojnë se pagat nuk varen vetëm nga produktiviteti, por edhe nga konkurrueshmëria ndërkombëtare, marzhet e fitimit dhe pasiguria e përgjithshme ekonomike. Sipas tyre, pagat më të larta janë të përballueshme vetëm nëse kompanitë kanë mundësi reale t’i financojnë ato. Me nisjen e negociatave të pagave në vjeshtë, pritet që tonet mes palëve të ashpërsohen më tej.
Hendek i madh gjinor në paga
Raporti nxjerr në pah se diferencat e mëdha në paga mes burrave dhe grave mbeten problematike. Gjysma e grave në Zvicër fitojnë më pak se 5,000 franga në muaj, ndërsa paga mesatare (mediane) për burrat është 7,000 franga.
Kjo diferencë prej 2,000 frangash ndahet në disa faktorë:
Gjysma e shumës (1,000 franga): Rrjedh nga dallimi në orarin e punës (punë me kohë të pjesshme), teksa gratë kryejnë mesatarisht 12 orë më shumë punë të papaguar shtëpie dhe kujdesi në javë.
500 franga: Krijohen për shkak se të ashtuquajturat “profesione të grave” (si kujdestaria apo infermieria) paguhen më dobët, si dhe sepse burrat mbajnë më shpesh pozicione drejtuese.
500 frangat e mbetura: Janë të paşpjegueshme dhe pjesërisht i atribuohen diskriminimit të pastër gjinor.
Çmimet e sigurimeve shëndetësore rëndojnë xhepat e qytetarëve
Përveç stagnimit të pagave, rritja e vazhdueshme e prémeve të sigurimit shëndetësor po rëndon fuqishëm buxhetet e familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Për një familje me dy fëmijë, këto préme përbëjnë tashmë mbi 10% të të ardhurave bruto në dhjetë kantonet më të mëdha të vendit.
Sindikatat kritikojnë faktin se kundërpropozimi për lehtësimin e prémeve, i cili hyri në fuqi në vitin 2026 me qëllim që kantonet të subvencionojnë më shumë këto kosto, po zbatohet në mënyrë shumë të ngadaltë.
Çfarë kërkojnë sindikatat?
Për të ndryshuar këtë situatë, Federata SGB kërkon një kthesë të menjëhershme në politikat e pagave dhe taksave:
Rritje të ndjeshme të pagave reale të ulëta dhe të mesme, si dhe kompensim automatik të rritjes së shtrenjtimit të jetesës (inflacionit).
Vendosjen e një page minimale prej 5,000 frangash për personat që kanë mbaruar një shkollë profesionale (zanat) dhe asnjë pagë në vend nën 4,500 franga.
Kantonet të ndalojnë uljen e taksave për pasanikët dhe në vend të kësaj të ulin ndjeshëm prémet e sigurimit shëndetësor për qytetarët e thjeshtë.
E-Diaspora
-
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore Shkëmbimet tregtare mes Zvicrës dhe Kosovës kanë shënuar zhvillim dinamik gjatë viteve të fundit. Vetëm në... -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026 -
“Re:Connect” bashkoi 16 të rinj nga Zvicra dhe Kosova në Prizren
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?













