Kantonet e Gjenevës dhe Vaudit kanë riaktivizuar planet e tyre të veprimit për valën e të nxehtit, pas parashikimeve për temperatura shumë të larta në ditët në vijim, transmeton albinfo.ch.
Masat synojnë të mbrojnë veçanërisht personat e moshuar, të sëmurët kronikë, fëmijët e vegjël dhe grupet e tjera të ndjeshme ndaj temperaturave ekstreme. Autoritetet shëndetësore do të intensifikojnë monitorimin e personave në rrezik dhe do të ofrojnë mbështetje shtesë aty ku është e nevojshme.
Qytetarëve u rekomandohet të konsumojnë sa më shumë ujë, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të mbajnë ambientet e freskëta dhe të kontrollojnë rregullisht gjendjen e familjarëve apo fqinjëve të moshuar.
Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, duke rritur rrezikun për probleme shëndetësore të lidhura me vapën, veçanërisht në zonat urbane.