Shqipëria

Rama për protestat në Zvërnec: Videot e rreme dhe dezinformimi po deformojnë realitetin

Kryeministri Edi Rama ka folur në Forumin Botëror “Future Investment Initiative (FII)” në Romë, ku është ndalur edhe te debatet dhe protestat lidhur me investimin e planifikuar në Zvërnec.

Në një intervistë me gazetaren e CNN, Eleni Giokos, Rama tha se në zonën ku pritet të zhvillohet projekti nuk ka kundërshtime të mëdha dhe se shumica e komunitetit, sipas tij, e mbështet atë.

Ai theksoi se pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale nuk pasqyrojnë realitetin, duke shtuar se shumë video të përdorura janë të rreme ose të marra nga protesta në vende të tjera.

Rama gjithashtu u shpreh se reagimet e forta në internet lidhen edhe me vëmendjen ndërkombëtare që ka marrë projekti, për shkak të përfshirjes së emrave të njohur si Jared Kushner dhe Donald Trump.

Në deklaratat e tij, kryeministri përmendi edhe sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, duke akuzuar Iranin për përfshirje në fushata dezinformimi.

Ai paralajmëroi se përhapja e lajmeve të rreme në rrjet po ndikon negativisht në demokracitë moderne dhe në mënyrën se si qytetarët e perceptojnë realitetin politik.