Në Tiranë ka nisur pasditen e së dielës protesta e 15-të qytetare, ku pjesëmarrësit janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbej”.
Më pas, protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, duke ndjekur të njëjtin itinerar si në tubimet e mëparshme.
Protesta vjen në vijim të mobilizimeve të ditëve të fundit kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, si dhe ndaj politikave të qeverisë.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare, ndërsa kërkesat kryesore mbeten dorëheqja e qeverisë, rishikimi i statusit të investitorëve strategjikë dhe anulimi i ndryshimeve ligjore që, sipas tyre, cenojnë zonat e mbrojtura.
Ashtu si në protestat e mëparshme, tubimi pritet të përfundojë para Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime, ndërsa më pas marshimi do të vijojë në rrugët kryesore të kryeqytetit