Lajme

Baret në Gjenevë do të qëndrojnë hapur më gjatë Botërorit

Autoritetet kanë miratuar orare të zgjatura për lokalet gjatë Kampionatit Botëror të futbollit

Tifozët e futbollit në Gjenevë do të mund t’i ndjekin ndeshjet e Botërorit deri vonë në mbrëmje, pasi autoritetet kantonale kanë miratuar zgjatjen e orarit të punës për baret dhe restorantet gjatë turneut.

Vendimi u mor pavarësisht kufizimeve të sigurisë që lidhen me samitin e G7 që do të mbahet në Evian të Francës, pranë kufirit me Zvicrën, transmeton albinfo.ch.

Sipas Këshillit të Shtetit të Gjenevës, lokalet do të lejohen të qëndrojnë hapur më gjatë gjithë periudhës së Botërorit, nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Po ashtu do të lejohen edhe ekranet e jashtme në terasa për transmetimin e ndeshjeve, megjithëse rregullat konkrete do të përcaktohen nga komunat individuale.

Këshilltarja komunale Marie Barbey-Chappuis e përshëndeti vendimin, duke e quajtur “lajm të mirë për sektorin e gastronomisë”, i cili pritet të përfitojë nga fluksi i tifozëve dhe turistëve gjatë turneut.