Të tjera

Kosova dhe Italia forcojnë bashkëpunimin kulturor

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të projektit bilateral Kosovë–Shqipëri për kërkime në arkivat e Venecias

Është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Nazionale Marciana në Venecia, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve kulturore dhe akademike ndërmjet Kosovës dhe Italisë, transmeton albinfo.ch.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të projektit bilateral Kosovë–Shqipëri “Modalitete Kërkimore në Arkivat e Venecias”, ku u realizua bashkëpunimi i parë zyrtar mes këtyre dy institucioneve të rëndësishme bibliotekare.

Gjatë vizitës zyrtare në Itali, delegacioni nga Kosova mori pjesë në një trajnim intensiv me ekspertë të bibliotekave dhe arkivave të Marcianas, ku u diskutua shkëmbimi i përvojave profesionale, metodologjitë kërkimore dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në fushën e bibliotekarisë dhe trashëgimisë kulturore.

Ky partneritet pritet të hapë rrugë për projekte të përbashkëta, kërkime në dokumente historike dhe promovimin e mëtejmë të trashëgimisë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch