Muzikë

Rita Ora mahnitëse me pamjen e saj në Royal Albert Hall, performon në gala për Mbretin Charles III

Këngëtarja shqiptare ishte pjesë e festës së 50-vjetorit të “The King’s Trust”, ku u takua edhe me monarkun britanik

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora ka qenë ndër emrat më të komentuar në mbrëmjen gala të organizuar për 50-vjetorin e “The King’s Trust”, e mbajtur në sallën prestigjioze Royal Albert Hall në Londër, transmeton albinfo.ch.

Artistja mori pjesë në këtë event si e ftuar speciale dhe performuese, duke u ngjitur në skenë përkrah muzikantit britanik Jools Holland, me të cilin solli një interpretim të veçantë në stilin blues, të shoqëruar me harmonikë dhe orkestër live.

Pas përfundimit të mbrëmjes, Rita Ora ndau disa momente në rrjetet sociale, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një nder të madh.

“Është gjithmonë shumë speciale të performosh për Lartmadhërinë e Tij Mbretërore”, shkroi ajo, duke falënderuar gjithashtu Jools Holland për bashkëpunimin dhe energjinë e sjellë në skenë.

Përveç performancës, vëmendje të veçantë mori edhe takimi i saj me Mbretin Charles III, ku këngëtarja u pa duke bërë një përkulje elegante përpara monarkut britanik, një gjest respekti që u komentua gjerësisht nga mediat dhe fansat.

Mbrëmja shënoi 50-vjetorin e The King’s Trust, organizatë e themeluar nga Mbreti Charles me qëllim mbështetjen e të rinjve në arsim, punësim dhe zhvillim profesional në Mbretërinë e Bashkuar.

Eventi mblodhi figura të njohura nga muzika, arti dhe jeta publike britanike, ndërsa performanca e Rita Orës u vlerësua si një nga momentet më të spikatura të natës./Albinfo.ch

Rita Ora