Lajme
Cyrihu duartroket filmin e Ibër Dearit “Krejt e thirrin Rexhën”
Filmi ndjek jetën e Rexhës, një njeriu që mbetet pothuajse i vetëm në një fshat të Maqedonisë së Veriut, të zbrazur nga emigrimi
Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” (“Everybody Calls Redjo”), me regji të Iber Deari, konfirmoi edhe në Cyrih fuqinë e tij artistike dhe emocionale. Mbrëmjen e 10 majit 2026, në kinemanë Kino Riffraff, dy shfaqjet e organizuara nga albinfo.ch u mbajtën në salla të mbushura, duke dëshmuar interesimin e madh të publikut shqiptar në Zvicër për kinemanë bashkëkohore shqiptare.
Pas një rrugëtimi të suksesshëm në kinematë e Ballkanit dhe në qendra të rëndësishme kulturore evropiane, filmi vazhdon të ndërtojë një lidhje të veçantë me publikun, duke dëshmuar se temat që trajton tejkalojnë ekranin dhe prekin drejtpërdrejt realitetin social të rajonit dhe të diasporës.
Në të dyja shfaqjet ishte i pranishëm një pjesë e ekipit të filmit, ndërsa diskutimet me publikun pas projeksionit u përqendruan te emigrimi, boshatisja e vendit, vetmia dhe transformimi i jetës në hapësirat shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Moderimi i mbrëmjes u realizua nga Pritë Bytyqi.
“Everybody calls Redjo” ndjek jetën e Rexhës, një njeriu që mbetet pothuajse i vetëm në një fshat të zbrazur nga emigrimi. Përmes një narrative të heshtur, por emocionalisht të ngarkuar, filmi ndërton portretin e një realiteti që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në Ballkan, largimi masiv i të rinjve dhe rrënimi gradual i strukturës sociale në vendlindje.
Regjisori Iber Deari tha se filmi është ndërtuar mbi përvoja reale dhe figura që ai i ka njohur nga afër gjatë jetës së tij. “Jam shumë i lumtur për këtë mundësi të realizuar nga albinfo.ch dhe Sevdail Tahirin, si dhe për energjinë mikpritëse të publikut. Tema është shumë aktuale në vendin tonë.
Po zbrazet Maqedonia, po zbrazet vendi dhe kjo krijon një realitet që ne e kemi jetuar dhe ndjerë gjatë gjithë kohës”, u shpreh regjisori Deari.
Sipas tij, personazhi i Rexhës është frymëzuar nga historia e një punëtori të vetëm në një fshat të Kumanovës, ku shumica e banorëve tashmë janë larguar jashtë vendit.
“Ka qenë një temë shumë kuptimplote emocionalisht për mua. Ikja e të rinjve është një realitet i gjallë dhe i rëndë që vazhdon çdo ditë. E kemi parë para se ta shkruanim filmin, gjatë xhirimeve dhe vazhdojmë ta shohim edhe sot nëpër premierat ku po e prezantojmë. Ky film nuk trajton vetëm emigrimin, por edhe jetën e njerëzve që mbesin pas, boshllëkun emocional dhe heshtjen që krijohet kur një vend zbrazet gradualisht. Për mua ka qenë e rëndësishme që kjo histori të rrëfehet me ndershmëri dhe me një qasje sa më reale”, deklaroi regjisori Deari për albinfo.ch.
Një nga vlerësimet më domethënëse për filmin mbetet çmimi “Filmi më i Mirë” në kategorinë konkurruese “Meridiana” në Bari International Film Festival, një nga festivalet më prestigjioze të kinemasë në Itali.
Filmi është vlerësuar gjithashtu me çmimin për Regjinë më të Mirë në Tirana International Film Festival, me çmimin “Filmi më i Mirë” në TIFF ODA, me çmimin për aktorët më të mirë në të njëjtin festival, si dhe me çmimin “Hyjnesha në Fron” në Prishtinë.
Në kastin kryesor interpretojnë Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Ledion Mulaku në rolet dytësore Adem Karaga, Bujar Ahmeti etj.
Protagonisti i filmit, Afrim Muçaj, i cili interpreton Rexhën, e cilësoi rrugëtimin evropian të filmit si një përvojë të pazakontë për kinemanë shqiptare.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur. Filmi i ka tejkaluar pritjet tona nëpër Evropë. Një vit e gjysmë pas premierës në kinema, ai vazhdon të udhëtojë dhe interesi vazhdon të jetë shumë i madh. Kjo ndodh rrallë për një film”, deklaroi Muçaj.
Ai tregoi se, para Cyrihut, kishte marrë pjesë në shfaqje në Berlin dhe Hamburg, në kuadër të turneut “3 Diaspora”, duke theksuar se publiku shqiptar në Evropë po dëshmon një lidhje të veçantë me filmin shqip. “
Në këto 20 vite karrierë nuk më kujtohet një film me një jetëgjatësi kaq të madhe në kinema. Është një ndjenjë shumë e veçantë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që jemi sot në Cyrih, sepse Zvicra ka një publik që e ndjek dhe e mbështet fuqishëm kulturën shqiptare. Ka qenë një rrugëtim shumë kërkues dhe i vështirë, por këto premiera janë duartrokitje për gjithë atë punë. Në fund, rezultati ka qenë jashtëzakonisht i mirë”, tha aktori Muçaj.
Skenari, i shkruar nga Ibër Deari dhe Artin Selmani, sjell në dy orë e gjashtë minuta një rrëfim filmik të ndërtuar mbi një univers fiktiv me elemente imagjinare, por që pasqyron një realitet thellësisht të njohur për shoqërinë ballkanike. Komedia, drama dhe romanca ndërthuren në jetën e Rexhës, një figurë që mishëron vazhdimësinë, përgjegjësinë dhe rezistencën njerëzore në një fshat ku gjithçka duket se po shuhet gradualisht.
Vetëm gjatë viteve të fundit, nga Maqedonia e Veriut janë larguar mbi 300 mijë qytetarë, prej të cilëve rreth 66 për qind shqiptarë.
(Fotot: Gent Mersinaj, albinfo.ch)
E-Diaspora
-
Mbi 50 mijë aplikime nga diaspora për votim, prijnë votuesit nga Gjermania dhe Zvicra Mbi 50 mijë qytetarë nga diaspora kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit... -
Akademik Fehmi Agani u kujtua si “truri i rezistencës civile” të viteve `90 -
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur -
Prishtinë
Koncert i muzikës klasike në Prishtinë me Victor Julien-Laferrière dhe Filharmoninë e Kosovës -
Ardian Gjini i drejtohet diasporës: Mos e votoni Albin Kurtin
Jeta në Austri
-
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet Këtë javë, në Vjenë do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e edicionit të 70-të të Eurovisionit.... -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten -
Vjenë
Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë






















