Lajme
ADN-ja shqiptare në mërgatë: një festë identiteti, kujtese dhe përgjegjësie kombëtare
Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, komuniteti shqiptar në Zvicër u mblodh në një aktivitet të veçantë kushtuar asaj që u quajt me të drejtë “ADN-ja shqiptare” – një metaforë e fuqishme që përmbledh identitetin, historinë dhe shpirtin e një kombi të lashtë.
Që në fjalën hyrëse, organizatorët theksuan rëndësinë e kësaj dite si një moment bashkimi rreth vlerave që na përkufizojnë si shqiptarë: gjuha, kultura, historia dhe ndjenja e përkatësisë. “Të jesh shqiptar nuk është vetëm përkatësi. Është ndjenjë, kujtesë dhe përgjegjësi,” u shpreh në hapje, duke vendosur tonin e një programi që ndërthurte reflektimin me artin.
Aktiviteti u hap nga nxënësit e shkollave shqipe, të cilët, nën drejtimin e mësueses Qefsere Sejdiu, interpretuan Himnin e Flamurit dhe këngën domethënëse “Pse jemi të ndarë?”. Pyetja e ngritur prej tyre u shndërrua në një bosht reflektimi gjatë gjithë programit, duke ftuar pjesëmarrësit të mendojnë mbi sfidat dhe nevojën për unitet kombëtar.
Një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e aktivitetit pati moderatorja Blenda Nyfeler, e cila me profesionalizëm dhe elegancë përcolli përshëndetjet dhe falënderimet për të gjithë mysafirët dhe kontribuuesit. Në emër të organizatorëve, ajo vlerësoi angazhimin e Këshillit Organizues dhe shprehu mirënjohje për të gjitha shoqatat dhe individët që bënë të mundur realizimin e këtij aktiviteti.
Në mënyrë të veçantë, ajo falënderoi Shoqatën “Bashkimi” në Uster, nën drejtimin e Guximtar Alushit dhe Bekim Bajraktarit; Shoqatën “Atdheu” nga Thuni me kryetarin Xhemshir Zenuni; si dhe Shkollën Shqipe në Uster me mësuesin Vaxhid Sejdiu. Gjithashtu u falënderuan veprimtarët për kontributin e dhënë rreth organizimit: Lulzim Kadriu, Shpend Limoni, Emiljano Hoxha, Kushtrim Sylejmani, Emrullah Sallahu dhe Bujar Zajmi.
Një falënderim i veçantë shkoi edhe për studentët e Universitetit të Bernës, së bashku me Aril Asllanajn, si dhe studentët e universiteteve të Cyrihut, St. Gallenit, Zugut dhe Baselit. Po ashtu u falënderuan për pjesëmarrje z. Riza Demaj, kryetar i LAPSH-it për Kantonin e Argaut, përfaqësuesit e Shoqatës Albakult, Shoqatës “Drita” – Kreuzlingen, Shoqatës “Iliria” nga St. Galleni, Ansamblit “Ura” dhe Ansamblit “Trojet”, si dhe mësueset dhe mësuesit e shkollave shqipe në Zvicër.
Një falënderim i veçantë iu drejtua gjithashtu përfaqësuesve diplomatikë, përfshirë ambasadorin e Shqipërisë, z. Ermal Dredha, dhe konsullin e Kosovës, z. Vigan Berisha, për praninë e tyre. Thirrja për një duartrokitje të përbashkët u shndërrua në një moment simbolik vlerësimi për gjithë kontributin e diasporës.
Një nga momentet kulmore të programit ishte prania e studiuesit dhe gazetarit të njohur Marin Mema, e cila javë më parë ishte paralajmëruar. Në fjalën e tij, ai solli reflektime të thella mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe identitetit kombëtar. “Kemi nevojë ta duam më shumë vendin tonë,” theksoi ai, duke nënvizuar se një komb me identitet të fortë është një komb më i qëndrueshëm dhe më i bashkuar.
Përmes shembujve të shumtë nga hulumtimet e tij mbi rrënjët shqiptare, ai ka sjellë shpesh fakte dhe të vërteta që kanë lënë publikun pa fjalë. Nëpërmjet materialeve filmike, ai dëshmoi për proceset e asimilimit të shqiptarëve në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Greqi, duke ngritur një pyetje thelbësore mbi të drejtën e njeriut për të jetuar dhe për t’u shprehur në gjuhën e vet.
Ai theksoi se shumë familje shqiptare në këto treva kanë përjetuar presione të vazhdueshme, deri në ndalimin e përdorimit të gjuhës amtare duke përfunduar në një asimilim të dhunshëm. Rrëfimet e tyre përbëjnë jo vetëm një tragjedi kombëtare, por edhe një tragjedi njerëzore, duke dëshmuar për dhimbjen dhe dëshirën për t’u kthyer te rrënjët.
Prezantimi i tij u nda në dy pjesë, duke u dhënë hapësirë edhe të rinjve, nxënësve të shkollave shqipe dhe anëtarëve të shoqatave që të shprehin atdhedashurinë e tyre ndaj gjuhës dhe identitetit. Pjesëmarrësit e shumtë e mirëpritën me duartrokitje dhe interes të madh, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj kontributit të tij.
Me interes të veçantë u përcoll edhe fjala e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Dredha, i cili përgëzoi organizatorët, nxënësit, mësuesit, shoqatat dhe gjithë komunitetin shqiptar për angazhimin në ruajtjen e identitetit kombëtar. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Marin Memës në shërbim të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare. Ndër të tjera, ai përgëzoi mësuesin Vaxhid Sejdiu për punën e tij në shërbim të komunitetit, duke përmendur edhe vlerësimin me medaljen “Shqiponja e Artë” në Samitin e Diasporës në Tiranë. Ambasadori theksoi mbështetjen e vazhdueshme institucionale për nisma të tilla, në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Kosovës.
Programi artistik solli një larmi interpretimesh që prekën emocionet e të pranishmëve. Vëllezërit Arbnor dhe Rrezart Kuqi interpretuan këngën “Çka i bashkon shqiptarët me gjak – gjuha nënës si zambak”, ndërsa artisti Med Sadrija solli një recital me ngarkesë të lartë emocionale. Këngëtarja Ylljona Shala përcolli ndjenjën e mallit përmes këngës “Udhët e mia”.
Një vend të veçantë zunë edhe vallet tradicionale, të cilat sollën në skenë gjallërinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Shoqata “Atdheu” nga Thuni prezantoi “Vallen e Librazhdit”, ndërsa Shoqata “Bashkimi” nga Uster interpretoi vallen “Zoga kaçake” me motive nga Çamëria, duke dëshmuar se folklori shqiptar vazhdon të jetojë edhe në mërgatë.
Në fillim të aktivitetit pjesëmarrësit patën rastin të njihen me veprat artistike të artistëve shqiptarë Florim Shaqiri, Kushtrim Zeqiri, Dren Emini, Eshref Berisha, Florim Hasani, Avdi Hajdari, Naser Dushica, Rexhep Leci, Visar Kryeziu dhe Kushtrim Sylejmani nën drejtimin e të cilit u organizua dhe u zhvillua kjo ekspozitë.
Në përmbyllje, organizatorët rikujtuan mesazhin thelbësor të kësaj dite: identiteti shqiptar nuk është vetëm trashëgimi, por mbi të gjitha përgjegjësi – për ta ruajtur, kultivuar dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.
Ky aktivitet nuk ishte vetëm një festë kulturore, por një thirrje për vetëdije kombëtare. Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, ruajtja e ADN-së shqiptare mbetet një mision i përbashkët – një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen dhe mban gjallë shpirtin e një kombi, kudo që ai jeton.





E-Diaspora
-
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur Vallet dhe traditat shqiptare prezantohen nga ansambli “Trojet” në një mbrëmje ndërkulturore me pjesëmarrjen e komuniteteve... -
Prishtinë
Koncert i muzikës klasike në Prishtinë me Victor Julien-Laferrière dhe Filharmoninë e Kosovës -
Ardian Gjini i drejtohet diasporës: Mos e votoni Albin Kurtin -
Bronx
Panairi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mbledh mijëra shqiptarë në Bronx -
Zyra e BE-së në Kosovë shpall Shqipe Neziri Velën “Europiania e Vitit 2026”
Jeta në Austri
-
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare Konferenca Ekonomike B2b pritet të bashkon mbi 400 biznese shqiptare nga diaspora dhe trojet shqiptare... -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten -
Vjenë
Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë -
Një ditë e zakonshme që u kthye në festë zyrtare: Historia e 1 Majit











