Futboll
Yakin: Granit Xhaka nuk do të pensionohet pas Kupës së Botës
Përzgjedhësi i Zvicrës konfirmon se kapiteni do të vazhdojë të luajë edhe pas Kupës së Botës, duke synuar Ligën e Kombeve dhe kualifikimet për Euro 2028.
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Zvicrës, Murat Yakin, ka konfirmuar se kapiteni Granit Xhaka nuk do të pensionohet pas Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, transmeton albinfo.ch.
Yakin u pyet për të ardhmen e Xhakës gjatë emisionit sportiv “Blue Sport”, ku theksoi se Botërori nuk do të jetë “vallëzimi i fundit” i mesfushorit me fanellën e Zvicrës.
“Jo, absolutisht jo. Nuk mund ta imagjinoj. Për sa kohë që ai është në këtë gjendje shëndetësore, ai do të luajë sa më gjatë të jetë e mundur”, deklaroi Yakin.
Ai shtoi se është i bindur se Xhaka do të vazhdojë karrierën ndërkombëtare edhe pas turneut më të madh të futbollit.
“Gjithashtu e di me siguri se ai nuk do të tërhiqet pas Kupës së Botës. Jam i kënaqur për këtë”, u shpreh përzgjedhësi zviceran.
Xhaka, i cili aktualisht mban rekordin për më së shumti paraqitje me Zvicrën, ka zhvilluar 144 ndeshje, më shumë se çdo futbollist tjetër në historinë e kësaj përfaqësueseje, dhe pritet ta rrisë edhe më tej këtë shifër.
Pas ndeshjeve përgatitore dhe paraqitjes në Kupën e Botës 2026, Zvicra do të vazhdojë garat në Ligën e Kombeve, ndërsa më pas synohet edhe pjesëmarrja në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2028, ku Xhaka pritet të jetë sërish pjesë e ekipit nëse shmang lëndimet.
Marrëdhëniet mes Xhakës dhe Yakinit nuk kanë qenë gjithmonë të lehta. Rreth tre vjet më parë, kapiteni kishte kritikuar publikisht seancat stërvitore të përzgjedhësit, por në vjeshtën e vitit 2023 palët gjetën gjuhë të përbashkët dhe tashmë raportet mes tyre janë stabilizuar.
Madje, edhe pas Euro 2024, kur e ardhmja e Yakinit ishte në pikëpyetje, Xhaka kishte folur hapur në favor të vazhdimit të tij në krye të Zvicrës.
I pyetur se sa larg mund të shkojë Zvicra në Botërorin 2026, Yakin tha se paraqitja pozitive në Evropianin 2024 i jep optimizëm ekipit për rezultate të mëdha.
“Do të kishte qenë e mundur të arrinim në çerekfinale kundër Anglisë, në mënyrën se si luajtëm. Shumë gjëra ishin të mundshme atje, madje edhe një gjysmëfinale, një finale…”, deklaroi ai.
Sipas Yakinit, synimi i Zvicrës është të zhvillojë Botërorin më të mirë në histori, duke shfrytëzuar potencialin dhe cilësinë që ka ekipi.
Zvicra u kualifikua direkt në Kupën e Botës 2026, duke përfunduar e para në grupin ku bënin pjesë edhe Kosova, Sllovenia dhe Suedia. Kosova u ndal në finalen e plejofit ndaj Turqisë me rezultat 1:0, ndërsa Suedia siguroi kualifikimin pas fitores 3:2 ndaj Polonisë./Albinfo.ch
Të tjera nga Futboll
E-Diaspora
-
Berlin
Arti shqiptar mahnit Berlinin me performancë ndërkombëtare Blenard Azizaj bashkë me Marina Abramović në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor... -
Baleti Kombëtar i Kosovës me turne në Amerikën Latine, ndalet në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Arrestohet në Belgjikë 29-vjeçari i dënuar për vrasje në Shqipëri -
Kosovë
Bullakaj pas takimit me Kurtin: Diaspora në Zvicër motor i zhvillimit për Kosovën -
Suedi
Albin Pllashniku, shembull suksesi i diasporës në Suedi
Jeta në Austri
-
Nesër Maratona e Vjenës 2026: Këto rrugë do të mbyllen Maratona e Qytetit të Vjenës 2026 sjell mbyllje të gjera rrugësh në Ringstraße, autostrada dhe ura;... -
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj -
22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë -
19 vjeçari që humbi jetën në Austri është nga komuna e Rahovecit











