Lajme

Qeveria zvicerane: Bartja e procedurave të azilit jashtë vendit, punë e ndjeshme

Do të ishte e vështirë të sigurohej sundimi i ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut në vendet ku do të "transportoheshin" azilkërkuesit

Këshilli Federal i Zvicrës është treguar kritik ndaj dhënies me kontratë të procedurave të azilit jashtë vendit. Ai deklaron se ka pengesa të konsiderueshme në rrugën për të realizuar një synim të tillë, trnsmeton albinfo.ch.

Për shembull, do të ishte e vështirë të sigurohej sundimi i ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut (në vendet ku do të “transportoheshin” azilkërkuesit), edhe nëse kjo do të ishte ligjërisht e mundur.

Këshilli Federal e bazon qëndrimin e tij në një studim të jashtëm. Në të njëjtën kohë, Këshilli Federal nuk e përjashton pjesëmarrjen në projekte të tilla të dhënies me kontratë të azilit nëse ato rezultojnë të suksesshme në vende të tjera.

Disa vende evropiane po diskutojnë dhënien me kontratë të procedurave të azilit jashtë vendit ose deportimin e azilkërkuesve të refuzuar në vende të treta. Italia, për shembull, ka krijuar qendra azili në Shqipëri.