Kosova

Gjermani: Ndërron jetë 3-vjeçari nga Kosova pas rënies në lum

Vogëlushi nga Nepolja e Pejës Dyshohet se ka humbur jetën pas disa ditësh në gjendje kome, pasi u gjet në lumin Sieg në qytetin Siegen

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Gjermani, ku një fëmijë vetëm 3 vjeç, me prejardhje nga Kosova, ka ndërruar jetë pas një incidenti tragjik, transmeton albinfo.ch.

Vogëlushi, i identifikuar Z.K dyshohet se kishte rënë në lumin Sieg, në qytetin e Siegenit, gjatë një aktiviteti ku ndodhej së bashku me fëmijë të tjerë dhe nën mbikëqyrje.

Rasti u raportua edhe nga mediat gjermane, përfshirë RTL West, të cilat njoftuan se fëmija ishte gjetur në ujë në gjendje të rëndë. Ai ishte reanimuar në vendin e ngjarjes dhe më pas ishte transportuar me urgjencë në spital, ku u trajtua në gjendje kritike, transmeton tutje albinfo.ch.

Sipas informacioneve vogëlushi kishte qëndruar për disa ditë në gjendje kome, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Familja e të ndjerit është me prejardhje nga fshati Nepolë i Pejës, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura detajet lidhur me ceremoninë e varrimit.

Autoritetet gjermane pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike./Albinfo.ch