Lajme

Inxhinierët shqiptarë në Zvicër organizojnë cikël webinaresh për shkëmbimin e njohurive profesionale

Webinaret organizohen në gjuhën shqipe dhe janë të hapura për pjesëmarrje pa pagesë

Informacion për pjesëmarrje në webinar

Linku për t’u bashkuar në webinar:

https://teams.microsoft.com/meet/36936444480828?p=FeF7AjhBvNeIqsnz2G

ID e takimit: 369 364 444 808 28

Fjalëkalimi: 3yW2A2rz

Linku i pjesëmarrjes, si dhe informacionet shtesë, mund të gjenden edhe në faqen e Linkedin dhe uebsajtin e shoqatës Albanian Engineering of Switzerland (AES).

Join the webinar here:
https://lnkd.in/ezZhMJ4Z

Shoqata Albanian Engineering of Switzerland (AES) ka paralajmëruar organizimin e një cikli prej katër webinaresh gjatë vitit 2026, një nismë që synon të krijojë një hapësirë bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional mes shqiptarëve të angazhuar në fusha të ndryshme inxhinierike dhe shkencore, shkruan albinfo.ch.

Përmes këtij cikli aktivitetesh online, AES synon të forcojë rrjetëzimin profesional brenda diasporës shqiptare, duke krijuar një platformë ku përvojat dhe njohuritë e profesionistëve të ndahen dhe të diskutohen në mënyrë të hapur.

Webinari i parë do të mbahet më 11 mars 2026, nga ora 19:00 deri në 20:00, dhe do të zhvillohet në platformën Microsoft Teams. Aktiviteti pritet të ndiqet nga pjesëmarrës shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, pavarësisht se organizimi i tij vjen nga komuniteti profesional shqiptar në Zvicër. Prezantues i këtij webinari do të jetë Florent Lushta.

Në vijim të organizimit të ciklit të webinareve, organizatorët kanë bërë të ditur se për secilin aktivitet informacionet përkatëse do të shpërndahen disa ditë përpara zhvillimit të tij, ndërsa materiali informues për webinarin e parë përfshin të dhënat kryesore mbi temën, orarin dhe mënyrën e pjesëmarrjes. Flajeri përkatës përmban në mënyrë të përmbledhur informacionet kryesore dhe është paraparë të publikohet si pjesë e njoftimit për këtë aktivitet.

Shoqata Albanian Engineering of Switzerland (AES) është një organizatë jofitimprurëse që synon të bashkojë dhe të bashkërendojë aftësitë, njohuritë dhe përvojën profesionale të anëtarëve të saj për t’u përballur me sfidat e zhvillimit të shoqërisë. Në të njëjtën kohë, ajo angazhohet për promovimin e profesionistëve shqiptarë në fushat inxhinierike dhe shkencore, duke kontribuar në procesin e integrimit të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe në rritjen e vizibilitetit të tij në hapësirën profesionale.

Përmes aktiviteteve të saj, AES synon gjithashtu të nxisë bashkëpunimin dhe transferimin e teknologjisë dhe njohurive ndërmjet Zvicrës dhe vendeve të origjinës së diasporës shqiptare, duke krijuar ura bashkëpunimi që mund të shërbejnë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe për forcimin e lidhjeve profesionale ndërmjet ekspertëve shqiptarë në mbarë botën.

Webinaret organizohen në gjuhën shqipe dhe janë të hapura për pjesëmarrje pa pagesë. Sipas organizatorëve, këto aktivitete synojnë të krijojnë një hapësirë të përbashkët ku profesionistët shqiptarë mund të ndajnë përvojat e tyre, të diskutojnë zhvillimet më të fundit në fushat përkatëse dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një rrjeti profesional gjithnjë e më të konsoliduar.