Lajme
Nis në Itali gjyqi për vdekjen e kosovares 24-vjeçare
Nis gjykimi në Itali për aksidentin fatal ku humbi jetën 24-vjeçarja nga Kosova
Në Itali ka nisur procesi gjyqësor ndaj një 39-vjeçari nga Venecia, i cili akuzohet për vrasje nga pakujdesia në qarkullim rrugor, lidhur me aksidentin tragjik ku humbi jetën 24-vjeçarja nga Kosova, Donika Nikollbibaj, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 16 prill 2022, rreth orës 06:30, në rrugën Castellana, në zonën Padernello di Paese, pranë qytetit Treviso. Automjeti tip Volkswagen Polo, që drejtohej nga viktima, ishte përplasur ballë për ballë me një kamion frigoriferik Iveco, i cili po lëvizte nga Treviso në drejtim të Castelfranco Veneto.
Sipas hetimeve, dyshohet se 24-vjeçarja kishte humbur kontrollin e automjetit, duke kaluar në korsinë e kundërt, çka e bëri përplasjen të pashmangshme. Megjithatë, hetimet kanë zbuluar se shoferi i kamionit po qarkullonte me shpejtësi rreth 72 kilometra në orë, ndonëse kufiri i lejuar në atë segment rrugor ishte 50 kilometra në orë, pasi zona konsiderohej e banuar dhe me kalime për këmbësorë.
Për këtë arsye, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj drejtuesit të kamionit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, duke e dërguar çështjen në gjykatë.
Në automjetin e viktimës ndodhej edhe motra e saj, Monika Nikollbibaj, 25 vjeçe, e cila pësoi lëndime të lehta. Të dyja motrat jetonin në San Michele d’Adige, në provincën e Trentos.
Përplasja ishte e fuqishme dhe automjeti përfundoi në një kanal anës rrugës, duke i lënë të bllokuara brenda makinës. Donika Nikollbibaj u intubua në vendin e ngjarjes nga ekipet e urgjencës dhe u transportua me urgjencë në repartin e reanimacionit të spitalit të Trevisos. Ajo luftoi për jetën për tre ditë, por ndërroi jetë më 21 prill 2022. Shoferi i kamionit nuk pësoi lëndime.
Familja e viktimës është paraqitur në gjykatë si palë civile, duke theksuar se shpejtësia e lartë e mjetit të rëndë ka ndikuar në pasojat fatale të aksidentit.
Në momentin e aksidentit, dy motrat po udhëtonin drejt aeroportit të Venecias për të fluturuar në Kosovë, ku do të kalonin pushimet e Pashkëve. Prindërit e tyre kishin udhëtuar një ditë më herët. Familja Nikollbibaj jetonte prej rreth pesë vitesh në Itali.
Donika Nikollbibaj ishte studente universitare në Verona dhe punonte me kohë të pjesshme në MediaWorld në Trento për të përballuar shpenzimet e studimeve.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertëve të aksidenteve rrugore, ndërsa vendimi final do të përcaktojë përgjegjësinë penale të të pandehurit.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Berlin
Arti shqiptar mahnit Berlinin me performancë ndërkombëtare Blenard Azizaj bashkë me Marina Abramović në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor... -
Baleti Kombëtar i Kosovës me turne në Amerikën Latine, ndalet në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Arrestohet në Belgjikë 29-vjeçari i dënuar për vrasje në Shqipëri -
Kosovë
Bullakaj pas takimit me Kurtin: Diaspora në Zvicër motor i zhvillimit për Kosovën -
Suedi
Albin Pllashniku, shembull suksesi i diasporës në Suedi
Jeta në Austri
-
Nesër Maratona e Vjenës 2026: Këto rrugë do të mbyllen Maratona e Qytetit të Vjenës 2026 sjell mbyllje të gjera rrugësh në Ringstraße, autostrada dhe ura;... -
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj -
22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë -
19 vjeçari që humbi jetën në Austri është nga komuna e Rahovecit












