Të tjera

CNN vlerëson Dua Lipën në Javën e Modës në Paris

CNN vlerëson Dua Lipën si dukjen më të bukur të javës së modës

Gazetarja e CNN-it, Leah Dolan, ka shkruar se shija e keqe dominoi tapetin e kuq të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy”, duke e bërë modën më interesante se kurrë më parë, përcjell albinfo.ch.

A e bën shija e keqe modën më të mirë? Bazuar në atë që u pa këtë vit në tapetin e kuq të “Grammys”, përgjigjja duket të jetë po.

Megjithatë, ndërsa mediumi prestigjioz amerikan e përshkroi javën si një festë të shijes së keqe në modë, kontrasti ishte i fortë. Sipas CNN-it, dukja më e bukur e javës nuk erdhi nga tapeti i kuq i “Grammys”, por nga pasarela e Javës së Modës në Paris, ku shkëlqeu shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa.

Ajo u shfaq në sfilatën e brendit “Chanel”, duke dëshmuar se bukuria klasike, kur realizohet me inteligjencë dhe një identitet të fortë, vazhdon të ketë po aq ndikim sa edhe provokimi ekstrem.

Ndërkohë që disa yje zgjodhën veshje klasike dhe të sigurta në “Grammy”, si Hailey Bieber me një fustan të zi pa rripa nga “Alaïa”, apo Madison Beer me një fustan elegant nga “Andreas Kronthaler for Vivienne Westwood”, vëmendjen më të madhe e rrëmbyen pikërisht dukjet që ishin pak të çuditshme, pak të shëmtuara dhe plotësisht të paharrueshme.

Këngëtarja Cher u shfaq në skenë me një kombinim lëkure dhe dantelle, duke veshur një fund lëkure të grisur që dukej sikur po i rrëshqiste nga trupi. Amy Taylor, vokalistja e grupit australian Amyl and the Sniffers, zgjodhi një kostum në ngjyrë mishi me prerje dantelle rozë, të kombinuar me një bolero dhe ije të gjata që zbrisnin deri në tokë. Ndërsa Jon Batiste u shfaq me një xhaketë ushtarake të mbuluar plot me gurë vezullues.

Në tapetin e kuq, ekstremi u thellua edhe më shumë. Chappell Roan veshi një fustan të personalizuar nga “Mugler”, me kapëse në gjoks – një rikrijim i fustanit provokues të vitit 1998, këtë herë i pajisur me elemente protetike.

Bad Bunny bëri histori me veshjen e parë mashkullore të personalizuar nga “Schiaparelli”, një kostum kadifeje me jakë të thellë dhe lidhëse korseti që përshkonte gjithë shpinën. Ndërkohë, Lola Young zgjodhi një kombinim sportiv nga “Vivienne Westwood”, të “fisnikëruar” me një kravatë me vija.

Shaboozey, nga ana tjetër, u angazhua plotësisht në estetikën e kontrasteve të çuditshme, duke kombinuar xhaketë dhe jelek nga “Ralph Lauren” me xhinse dhe rrip nga e njëjta markë.

Sipas CNN-it, shija e keqe është subjektive dhe nuk ka gjithmonë nevojë të jetë aq e zhurmshme sa gurët vezullues të Jon Batiste apo fustani provokues i Chappell Roan.

Këngëtarja Billie Eilish, e veshur me krijime nga brendi suedez “Hodakova”, e testoi kufirin e gjykimit estetik me një veshje që ishte qëllimisht e shëmtuar. Xhaketa dhe fundi ishin realizuar nga pantallona burrash të ricikluara, ku çdo xhep, qepje dhe lak rripi ishte lënë i dukshëm. Çorapet e bardha, që binin pak poshtë gjurit, i bënin mbajtëset e çorapeve krejtësisht të panevojshme.

Në aspektin klasik të bukurisë, sipas Dolan, kjo veshje ishte “gabim”. Por ishte pikërisht ky gabim që të detyronte të ndaloje dhe të shikoje më gjatë: rripat e panevojshëm, çorapet, takat e holla dhe çanta e vogël, si nga Britania e viteve ’50, së bashku krijonin diçka thellësisht intriguese. /Albinfo.ch