Kosova

Qeveria në detyrë në Kosovë: Çfarë u miratua sot në Prishtinë

Të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e qeverisë

Ndahen mbi 4 milionë euro për pagat e 700 punëtorëve të RTK-së

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e 4 milionë e 480 mijë euro për ekzekutimin e pagave për 700 punëtorët e RTK-së, të cilët tash e disa ditë janë në grevë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se ky është ipmrovizim i detyruar.

“Siç e ka paralajmëruar këtë të hënën në konferencë ministri Hekuran Murati kemi shqyrtuar disa opsione për të dalë nga kjo situatë. Sot këto mjete po ndahen nga kategoria e kursimeve, kjo zgjidhje e sotshme apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është vetëm një improvizim i detyruar pas përpjekeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për të miratuar aty buxhetin për RTK-në”, tha Kurti.

Kurse ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati bëri të ditur se këto mjete janë marrë si kursime nga projektet ekzistuese.

“Ndarja e 4 milionë e 480 mijë euro për RTK të cilat është dashur të kursehen ose merren si kursime nga projekte ekzistuese në kuadër të organizatave tjera buxhetore për shkak se në Kuvend u refuzua të krijohet Komisioni për Buxhet dhe të votohej buxheti për RTK. Në pamundësi që të sigurohen pagat e punëtorëve tash e sa kohë nga ana e Kuvendit si themelues i RTK-së na është dashur neve si Qeveri të marrim këtë hap improvizues që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe të sigurohen pagat për transmetuesin publik”, tha Murati.

“Made in Kosova”, Kurti: Ndërtimi i fabrikës së municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se fabrika e municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm.

Këtë deklaratë, ai e bëri para kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, ku theksoi se me vendimin e sotëm për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Jahoc të Gjakocës, do të hapet rruga për ndërtimin e fabrikës së municioneve.

Kurti tha se ky miratimi i këtij vendimi do të bëhet në mbledhjen e sotme, pikërisht në Ditën e Forcës.

“Është kërkesa për shpronësim të pronave të paluajtshme, shoqërore të KBI Ereniku për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Jahoc të Gjakovës. Me miratimin e saj, hapim rrugë në terren ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në Republikën e pavarur që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rris sigurinë tonë dhe do t’i ngris edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Këtë vendim edhe më veçantë e bën fakti që po e miratojmë pikërisht në Ditën e Forcës”, deklaroi Kurti.

Ndërtimi i kësaj fabrike, Kurti theksoi se do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

“Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municionit, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojnë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarak dhe civil ‘Made in Kosova’.

Kurti premton 1 milion euro shpërblim nëse Kosova kualifikohet në Botëror

Qeveria e Kosovës ndanë 250 mijë euro për ekipin kombëtar pas kalimit në ‘play-off’

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka premtuar 1 milion euro shpërblim në rast se Përfaqësuesja e Kosovës do të kualifikohet në Botërorin 2026.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë të enjten, Kurti bëri të ditur se kanë ndarë 250 mijë euro për suksesin historik të Kosovës për kualifikim në plejof të Botërorit. E 500 mijë euro do të ndahen nëse e kalojmë Sllovakinë. 

“Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim. Në rast të fitores ndaj Sllovakisë zotohemi për shpërblim 500 mijë euro. Në rast të kualifikimit në Botëror zotohemi për 1 milionë euro shpërblim”, ka thënë Kurti.

Kosova më 26 mars do të luajë në Bratislavë kundër Sllovakisë.

Në rast fitoreje, do ta luajë ndeshjen vendimtare për kualifikim në Botëror në Prishtinë me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.

Qeveria gjithashtu ndau mbi 23 mijë euro për arritjet e klubit të futsallit, Prishtina 01, në Ligën e Kampionëve.