Kosova

BE-ja porosit për një proces zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues

Bashkimi Evropian tha për RTV21 se shpreh keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk arritën të tejkalojnë ngërçin politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, megjithatë BE-ja merr parasysh shpalljen e zgjedhjeve të reja duke nënvizuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues, përcjell albinfo.ch.

BE ka kërkuar që institucionet në Kosovë të përfshijnë pjesëmarrjen, certifikimin e partive politike dhe akreditimin e të gjitha mediave nga të gjitha komunitetet. Bashkimi Evropian tha se qëndron i gatshëm të punojë me autoritetet e reja të Kosovës dhe të vazhdojë mbështetjen e saj drejt integrimit në BE, si dhe për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“BE-ja shpreh keqardhje që partitë politike nuk e tejkaluan ngërçin e zgjatur politik pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025.

  • Ne e marrim parasysh shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
  • BE-ja nënvizon rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues, duke përfshirë pjesëmarrjen, certifikimin e partive politike dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet.
  • BE-ja qëndron e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen, dhe të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.
  • Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të nevojshme që lidhen me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Bashkimi Evropian në një përgjigje për RTV21 foli edhe për planin e rritjes. BE konfirmoi se Kosova mbetet e kualifikuar për të marr rreth 900 milionë euro. Megjithatë, sipas BE-së, vonesat në formimin e institucioneve, kanë ndikuar që këto marrëveshje të mos hyjnë në fuqi, dhe pa ratifikim të marrëveshjes në Kuvend Kosova nuk mund të kërkojë pagesa nga BE.

“Kosova ishte ndër partnerët e parë të Ballkanit Perëndimor që miratoi Agjendën e saj të Reformave të kërkuara nga Plani i Rritjes së BE-së, e cila u aprovua nga Komisioni Europian në tetor 2024.

  • Prandaj, Kosova mbetet e kualifikuar për të marrë deri në 882 milionë euro financim në kuadër të Planit të Rritjes, me kusht që të hyjnë në fuqi marrëveshjet që lidhen me Mekanizmin për Reforma dhe Rritje, si dhe plotësimin e të gjitha kushteve të tjera për pagesë.
  • Për shkak të vonesës në formimin e institucioneve, marrëveshjet që lidhen me Mekanizmin për Reforma dhe Rritje ende nuk kanë hyrë në fuqi. Pa ratifikimin e marrëveshjeve, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesë për pagesë në kuadër të këtij mekanizmi.
  • Mekanizmi për Reforma dhe Rritje është një instrument i kufizuar në kohë, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofron Plani i Rritjes, në të mirë të popullsisë së saj.”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

BE-ja, ka nënvizuar rëndësinë e shfrytëzimit të plotë të kësaj mundësie, e cila është e kufizuar në kohë për periudhën 2024–2027, për të sjellë përfitime direkte për popullsinë e Kosovës. Ndryshe ditë më parë, komisionerja e zgjerimit Marta Kos ngriti alarmin se vendet të cilat nuk kanë nisur reformat e parapara me planin e BE-së si Kosova dhe Bosnja deri në qershor rrezikojnë të humbin rreth 300 milionë euro nga ky plan, meqë, fondet e ndara nga BE përmes planit të rritjes janë të afatizuara dhe se BE parashikon që deri në vitin 2027 të finalizojë këtë marrëveshje me vendet e ballkanit Perëndimor.