Integrimi
Zvicra lanson fushatën e parë kundër dhunës në familje
Presidentja e Konfederatës Karin Keller-Sutter dhe Këshilltarja Federale Elisabeth Baume-Schneider, në kuadër të lansimit të fushatës së parë kombëtare, bëjnë thirrje që të mos tolerohet dhuna në familje, dhuna seksuale dhe dhuna me bazë gjinore.
Fushata për parandalimin e dhunës në familje, dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore është zhvilluar nga Zyra Federale për Barazinë e Grave dhe Burrave, në bashkëpunim me një aleancë të gjerë që përfshin nivelin federal, kantonal, komunal dhe organizatat e shoqërisë civile.
Fushata është planifikuar për disa vite dhe u drejtohet grupeve të ndryshme të synimit.
Dhuna në familje, dhuna seksuale dhe dhuna me bazë gjinore shkaktojnë çdo ditë vuajtje të mëdha në Zvicër, me pasoja të rënda për personat e prekur dhe shoqërinë në tërësi. Me këtë fushatë të parë kombëtare, Konfederata forcon masat parandaluese kundër këtyre formave ende shumë të përhapura të dhunës.
Në vitin 2024, policia regjistroi 21 127 vepra penale të lidhura me dhunën në familje – 6% më shumë se vitin paraprak, të cilat përbëjnë rreth 40% të të gjitha veprave penale të regjistruara nga policia. 70% e viktimave ishin gra.
Më shumë se gjysma e vrasjeve në Zvicër ndodhin në ambientin familjar. Sipas organizatave joqeveritare, numri i femicideve është rritur në vitin 2025.
Grupet e synimit janë të ndryshme, por mesazhi mbetet një: Barazia parandalon dhunën
Një nga objektivat kryesore të fushatës është ofrimi i ndihmës së qartë dhe të drejtpërdrejtë për personat e prekur. Fushata zhvillohet në tri faza:
Faza e parë u drejtohet kryesisht viktimave të dhunës,
Faza e dytë personave në rrethin e tyre,
Faza e tretë personave që ushtrojnë ose mund të ushtrojnë dhunë.
Personat e prekur mund të gjejnë informacione, këshilla dhe shërbime mbështetëse të përshtatura për situatat e tyre në faqen e internetit www.ohne-gewalt.ch. Pasi linja kombëtare e ndihmës për viktimat 142 të nisë funksionimin në maj 2026, fushata do ta promovojë këtë shërbim. Qendra telefonike do t’u mundësojë të gjithëve të marrin ndihmë të shpejtë, 24 orë në ditë.
Fushata do të jetë e pranishme në billboard-e në mbarë vendin dhe në rrjetet sociale. Ajo shfaqet në katër gjuhët zyrtare, si edhe në anglisht, spanjisht, portugalisht dhe shqip, si dhe në gjuhë të thjeshtuar.
Slogani i fushatës është: “Barazia parandalon dhunën.
”Fushata synon të tregojë situata të përditshme ku shfaqen pabarazi pushteti dhe shenjat e hershme të dhunës. Pabarazitë strukturore e nxisin dhunën; p.sh., varësia financiare mund ta bëjë shumë të vështirë shkëputjen nga një marrëdhënie toksike. Kur palët e shohin njëra-tjetrën si të barabarta, rritet mundësia që konfliktet të zgjidhen në mënyrë paqësore. Barazia është faktor mbrojtës sepse promovon marrëdhëniet e shëndetshme, dialogun, pavarësinë dhe respektin e ndërsjellë.
Një fushatë e gjerë dhe strategjike
Parandalimi i dhunës në familje, dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore kërkon bashkëpunim të ngushtë mes Konfederatës, kantoneve, qyteteve, komunave dhe organizatave joqeveritare. Shumë institucione dhe organizata të shoqërisë civile kanë kontribuar në zhvillimin e fushatës.
Në konferencën për media morën pjesë, krahas Këshilltares Federale Elisabeth Baume-Schneider, edhe:
Mathias Reynard, President i Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Çështjeve Sociale (SODK),
Stephanie Eymann, anëtare e Konferencës së Drejtoreve Kantonalë të Drejtësisë dhe Policisë (KKJPD),
Anna-Béatrice Schmaltz, përfaqësuese e rrjetit të OJQ-ve të Konventës së Stambollit.
Fushata është pjesë e Strategjisë së Barazisë 2030 të Konfederatës. Ajo është zhvilluar në bazë të një mocioni parlamentar të paraqitur nga senatorja Marianne Maret dhe deputetet Jacqueline de Quattro dhe Tamara Funiciello. Fushata përmbush kërkesat e Konventës së Stambollit, e cila është në fuqi në Zvicër që nga viti 2018, dhe përbën një nga shtyllat e planit të saj të veprimit, i cili fokusohet në shkaqet e dhunës.
Fushata kombëtare plotëson masat e shumta parandaluese që tashmë zbatohen nga niveli federal, kantonal, komunal dhe nga shoqëria civile. Ajo do të shoqërohet me monitorim dhe vlerësim të rregullt, për të matur efektin e saj dhe për të bërë përmirësime të synuara.
Institucionet pjesëmarrëse në zhvillimin e fushatës
Shumë zyra federale (EBG, BAG, BASPO, BSV, EBGB, Armatës)
Konferenca e Drejtorëve Kantonalë të Çështjeve Sociale (SODK)
Konferenca e Drejtorëve Kantonalë të Drejtësisë dhe Policisë (KKJPD), përmes SKP
Konferenca Zvicerane kundër Dhunës në Familje (SKHG)
Konferenca Zvicerane e Zyrave për Barazi (SKG)
Konferenca Zvicerane e Ndihmës për Viktimat (SVK-OHG)
Shoqata Zvicerane e Qyteteve (SSV)
Rrjeti i OJQ-ve për zbatimin e Konventës së Stambollit (përfaqësuar nga OJQ Frieda)
Mbrojtja e Fëmijëve Zvicër
Organizata Ombrellë e Shtëpive të Grave të Zvicrës dhe Lihtenshtajnit (DAO)
Më shumë info:
- Faktenblatt
- Bilder und Logos
- Kampagnenvideos
- Polizeiliche Kriminalstatistik: Zusatzerhebung Tötungsdelikte 2019 – 2023
- www.ohne-gewalt.ch
E-Diaspora
-
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” Liga Shqiptare e Futbollit në Austri sjell sërish Turneun e Pavarësisë... -
Gjermani
Besmir Elmazi përfundon specializimin e tretë në Haus der Ärzteschaft Düsseldorf -
„Discere et studēre ad futurum – Mësim e studim për të nesërmen!” -
Shkolla Shqipe Ostermundigen Bern po zhvillon provat për festën e 28 Nëntorit -
Mediumi zviceran shkruan për Xhakën: Kapiteni i Kombëtares i fishkëllelluar në Prishtinë
Jeta në Austri
-
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” Liga Shqiptare e Futbollit në Austri sjell sërish Turneun e Pavarësisë... -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti













