Lajme
“Tri Net Film Fest” në udhë të mbarë të pjekurisë së vet artistike
Intervistë me Ben Apollonin, selektor i programit, mbi vizionin, seleksionimin e filmave dhe rolin kulturor të festivalit
“Tri Net Film Fest” hyn në edicionin e katërt në një moment kur dinamika kulturore e diasporës shqiptare në Zvicër po shfaq një pjekuri të re: një horizont ku kinematografia, identiteti dhe dialogu ndërkulturor takohen natyrshëm. Si një platformë që ndërton ura mes autorëve shqiptarë dhe atyre gjermanfolës, ky festival po konsolidohet si pikëtakim i rëndësishëm estetik e profesional, ku forma e shkurtër filmike merr jo vetëm vëmendje, por edhe një hapësirë të qëndrueshme reflektimi. Në këtë kontekst, biseda me Ben Apollonin, regjisor dhe selektor i programit ofron një perspektivë të qartë mbi prurjet e reja dhe rolin që Tri Net Film Fest po fiton brenda komunitetit të artit në diasporë.
albinfo.ch Tri Net Film Fest po hyn në edicionin e katërt, një etapë që zakonisht e konsolidon identitetin kuratorial të një festivali. Si do ta përkufizonit sot rolin, misionin dhe peshën e Tri Net në ekosistemin e filmit të shkurtër shqiptar dhe të diasporës?
Ben Apolloni: Tri Net Film Fest ka filluar me idenë që të jetë pikëtakim i kinematografisë shqiptare dhe asaj gjermanishtfolëse. Dhe për këtë edicion kemi punuar edhe me disa distributorë që na kanë dërguar filma në gjuhën gjermane dhe e kanë pasuruar programin dhe kanë bërë që qëllimi fillestar i festivalit të arrihet. Sigurisht që filmat shqiptarë nuk do të mungojnë kurrsesi dhe besoj që edicioni i katërt do të jetë goxha i pasur me prurje interesante.
albinfo.ch: Motoja “Shkurt në ekran, gjatë në kujtesë” sugjeron një marrëdhënie të ndërgjegjshme me formën e shkurtër. Në këndvështrimin tuaj të orientimit artistik (kuratorial), si prodhohet një përvojë filmike me rezonancë të zgjatur përmes një minutazhi të kufizuar?
Ben Apolloni: Motoja “Shkurt në ekran, gjatë në kujtesë” sugjeron filmin e shkurtër, por nuk kufizohet vetëm në këtë. Ideja është që në programin e “Tri Net Film Fest” do të ketë filma që do t’i shohim për aq sa zgjasin por me idetë dhe formën e tyre të realizimit do të mbesin gjatë në kujtesën tonë.
albinfo.ch: Procesi i seleksionimit të filmave është thelbësor për identitetin e çdo festivali. Cili është kriteri juaj kryesues: fuqia narrative, koherenca estetike, autenticiteti autorial apo efektiviteti i gjuhës vizuale? Çfarë elementi e bën një vepër “të domosdoshme” për programimin zyrtar?
Ben Apolloni: Përzgjedhja e filmave, pra, krijimi i programit të një festivali është ndër proceset më të vështira sepse edhe është pjesa esenciale e një festivali. Mua, si selektor i filmave më ka ra kjo barrë, por si filmofil që jam, nuk kam përtuar të shoh secilin film me kujdes dhe jam munduar që në programin e festivalit të përfshijë filma me përmbajtje interesante e provokative, pa anashkaluar vlerat estetike dhe fuqinë narrative.
albinfo.ch: Gjatë viteve të fundit, një numër në rritje regjisorësh të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut po eksperimentojnë me forma të reja të tregimit filmik. Si e lexoni këtë rrymë të re krijuese dhe cilat prirje po shfaqen si më relevante në raport me publikun bashkëkohor?
Ben Apolloni: Krijimi i një filmi apo çfarëdo lloj vepre artistike kërkon guxim për të provuar forma shprehjesh. E, regjisorët shqiptarë, kudo që krijojnë ata, po duket që po i përcjellin zhvillimet kinematografike botërore dhe nuk po ngurrojnë që të eksperimentojnë me forma. Regjisorët shqiptarë sot mendoj që e kanë vetëm një problem: mungesën e buxhetit, mungesën e një industrie kinematografike shqiptare që do të mundësonte zhvillimin e tyre. E kam thënë me dhjetëra herë që vendi ynë është minierë temash, por për fat të keq mundësitë që këto tema të trajtohen në kinematografi janë të pakta.
albinfo.ch: Në shumë festivale ndërkombëtare, balanca midis garës dhe dialogut artistik është temë qendrore. Si pozicionohet Tri Net Film Fest në këtë dimension: a synon të ndërtojë një identitet garues, apo e sheh vlerën kryesore te dialogu estetik dhe shkëmbimi konceptual midis autorëve?
Ben Apolloni: E kemi diskutuar gjatë punën e çmimeve dhe në fund kemi arritur në përfundim që edhe “Tri Net Film” të ndajë çmime. Por sa më përket mua si regjisor, më e rëndësishme është që filmbërësit shqiptarë dhe ata gjermanishtfolës të krijojnë një “dialog estetik” siç e keni quajtur ju.
albinfo.ch: Organizimi i një festivali në diasporë e bën komunitetin një faktor struktural, jo vetëm emocional. Si ka evoluar ky komunitet rreth Tri Net Film Fest dhe si ka ndikuar në formësimin e profilit të festivalit gjatë këtyre katër edicioneve?
Ben Apolloni: Diaspora shqiptare është e mrekullueshme. E kam thënë edhe në edicionin e kaluar, para të pranishmëve në festival, se Kosova edhe lirinë e saj e ka arritur falë veprimtarisë së jashtëzakonshme të diasporës dhe për këtë duhet t’i jemi falënderues përjetësisht. Unë gëzohem shumë kur takoj komunitetin shqiptar në kinema. Shkuarja në kinema e në teatër është shenjë qytetërimi dhe zemra mal më bëhet kur shoh që kemi një diasporë të qytetëruar në zemër të qytetërimit evropian. Me padurim pres që t’i takoj edhe në edicionin e katërt dhe të dialogojmë për filmin e për kulturën në përgjithësi dhe për mundësitë e rritjes së Tri Net Film Fest.
albinfo.ch: Publiku është një aktor interpretues dhe bashkëkrijues i përvojës filmike. Çfarë pritshmëri keni ndaj audiencës së këtij edicioni dhe si mendoni se do t’i dekodojnë filmat publiku shqiptar dhe ai zviceran, duke marrë parasysh kontekstet e tyre kulturore?
Ben Apolloni: Nuk e di se si do t’i lexojnë filmat e këtij edicioni, por e di që do të kënaqem duke i dëgjuar opinionet e tyre. Këtë po e them nga përvoja e vitit të kaluar, ku publiku i ka lexuar e interpretuar filmat në mënyrë të shkëlqyer.
albinfo.ch: Për regjisorët e rinj që synojnë të prezantohen në edicionet e ardhshme: cilin aspekt të gjuhës filmike apo të qasjes autoriale do të inkurajonit të zhvillojnë, në mënyrë që vepra e tyre të komunikojë më fuqishëm me standardet e festivalit?
Ben Apolloni: Ne nuk kemi përcaktuar kritere speciale, pos që filmat duhet të jenë të metrazhit të shkurtër dhe në gjuhën shqipe ose gjermane. Për aspektet tjera, i kanë duart e lira.
albinfo.ch: Nëse do ta përmblidhnit këtë edicion në një ide themelore, cili do të ishte mesazhi ose gjurma kryesore që dëshironi të mbetet, si në përvojën e publikut, ashtu edhe në kontinuitetin estetik dhe institucional të Tri Net Film Fest?
Ben Apolloni: Ashtu siç është edhe motoja e festivalit, do të doja që filmat që do t’i shohin të mbesin gjatë në kujtesën e publikut dhe të flitet për ta dhe të shërbejnë për të inspiruar për të shkruar e krijuar filma të rinj.
Edicioni i katërt i “Tri Net Film Fest konfirmon” se një festival i lindur në diasporë mund të shndërrohet në traditë dhe në një hapësirë të qëndrueshme dialogu kulturor. Në kulturën shqiptare të Zvicrës, ai po forcon identitetin artistik të komunitetit, krijon ura të reja me publikun dhe nxit autorët të eksperimentojnë më thellë me gjuhën filmike dhe qasjet e tyre krijuese.
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Mediumi zviceran shkruan për Xhakën: Kapiteni i Kombëtares i fishkëllelluar në Prishtinë Granit Xhaka nuk pati një mbrëmje të lehtë të martën në Prishtinë. Gjatë çdo prekje të... -
Ky është programi zyrtar i festivalit “Tri Net Film Fest” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vaud: Qeveria emëron Metihe Mehmetin, Drejtoreshë të Përgjithshme të Tatimeve -
KQZ i aprovon mbi 7000 pako me fletëvotime nga diaspora, i refuzon mbi 2500 tjera
Jeta në Austri
-
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë... -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë














