Lajme

Hapet shkolla shqipe “Iliriada” në Belgjikë

Më 9 nëntor 2025, në qytetin Sint Niklaas të Belgjikës, u shënua një ditë historike për komunitetin shqiptar, u hap zyrtarisht Shkolla e parë shqipe “Iliriada”, pjesë e programit të mësimit plotësues në gjuhën amtare, transmrton albinfo.ch.

Ky institucion i ri arsimor u hap me misionin fisnik për të ruajtur e kultivuar gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare ndër brezat e rinj që rriten jashtë atdheut.

Në ceremoninë solemne morën pjesë personalitete të shquara nga jeta komunale belge dhe përfaqësues diplomatikë nga të dy shtetet shqiptare.

Në emër të Shoqatës “Iliriada Vlaanderen”, kryetari Ismet Ademi shprehu mirënjohje dhe falënderim të thellë për mbështetjen e institucioneve dhe të gjithë pjesëmarrësve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Në mesin e të ftuarve të nderuar ishin:

Z. Lieven Dehandschutter, Kryetar i Prefekturës (Komunës) së Sint Niklaas;

Znj. Albana Dautllari, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës;

Z. Miftar Kryeziu, Konsull i Republikës së Kosovës;

Znj. Adelheid Van Hauwermeiren, Drejtoreshë e Arsimit pranë Komunës së Sint Niklaas;

Znj. Leona Fetahi, sportiste e xhudos dhe boksit, kampione dhe nënkampione në shumë gara ndërkombëtare, një 15-vjeçare që po bëhet frymëzim për të rinjtë shqiptarë në diasporë.

Në fjalën e tij, z. Ademi falënderoi veçanërisht përfaqësuesit e jetës politike, kulturore dhe të gjithë bashkatdhetarët që morën pjesë e dhanë mbështetje për këtë nismë të madhe.

Një mirënjohje e veçantë iu drejtua edhe zonjave:

Qendresa Tahirsylaj, Nënkryetare e Shoqatës dhe përgjegjëse për arsimin;

Blerina Kamberi, Anëtare e përgjithshme e Shoqatës;

të cilat, me përkushtim dhe punë të palodhur, kontribuan në mënyrë të jashtëzakonshme për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Gjithashtu, Shoqata “Iliriada” njoftoi se ekipit të saj tashmë i është bashkuar edhe gazetarja e njohur nga Sint Niklaas, znj. Arbnora Breznica, e cila është bërë anëtare e përgjithshme e kryesisë dhe pjesë e stafit udhëheqës të “Iliriadës”.

Në përmbyllje të ngjarjes, organizatorët bënë thirrje për regjistrimin e fëmijëve shqiptarë në këtë shkollë, duke theksuar se ruajtja e gjuhës dhe kulturës është detyrë e përbashkët e çdo prindi e çdo familjeje shqiptare në mërgatë.

Njoftimi i plotë:

U HAP SHKOLLA SHQIPE “ILIRIADA” NË SINT NIKLAAS

Të dashur bashkatdhetarë të qytetit Sint Niklaas,

Më 9 nëntor 2025, u hap me shumë krenari Shkolla e parë shqipe “Iliriada” në kuadër të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Kjo është një ngjarje historike për komunitetin tonë shqiptar në Belgjikë!

Në këtë ditë të veçantë patëm nderin të kemi të pranishëm personalitete të rëndësishme nga jeta komunale dhe nga të dy shtetet shqiptare.

Në emrin tim dhe në emër të Shoqatës “Iliriada”, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për:

• Z. Lieven Dehandschutter, Kryetar i Prefekturës (Komunës) së Sint Niklaas;

• Znj. Albana Dautllari, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës;

• Z. Miftar Kryeziu, Konsull i Republikës së Kosovës;

• Znj. Adelheid Van Hauwermeiren, Drejtoreshë e Arsimit pranë Komunës së Sint Niklaas;

• Znj. Leona Fetahi, sportiste e xhudos dhe boksit, kampione dhe nënkampione në shumë gara, vetëm 15-vjeçare – shembull frymëzimi për të rinjtë tanë.

Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë përfaqësuesit e jetës politike, kulturore dhe për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë në Sint Niklaas dhe rrethina, të cilët morën pjesë dhe përkrahën këtë ngjarje të madhe.

Falënderime të posaçme për:

• Znj. Qendresa Tahirsylaj, Nënkryetare e Shoqatës dhe përgjegjëse për arsimin;

• Znj. Blerina Kamberi, Anëtare e përgjithshme e Shoqatës.

Këto dy zonja, me përkushtim dhe punë të palodhur, e bënë të mundur hapjen e Shkollës Shqipe “Iliriada” në qytetin tonë.

Gjithashtu, në këtë rrugëtim tonin na është bashkuar edhe gazetarja e mirënjohur nga Sint Niklaas, znj. Arbnora Breznica, e cila tashmë është bërë anëtare e përgjithshme e kryesisë dhe pjesë e stafit udhëheqës të “Iliriadës”.

Të dashur bashkatdhetarë,

Ju ftojmë përzemërsisht të regjistroni fëmijët tuaj dhe të mbështesni këtë nismë fisnike.

Qëllimi ynë i përbashkët është që fëmijët tanë të mos e humbasin gjuhën, kulturën dhe traditat tona kombëtare.

Ejani dhe bashkohuni me familjen e madhe shqiptare “Iliriada” në Belgjikë –
për gjuhën, kulturën dhe dashurinë për atdheun.

Me respekt,
Ismet Ademi
Kryetar i Shoqatës “Iliriada Vlaanderen”