Lajme

Dy trupa të pajetë janë gjetur në Lozanë

Fqinjët raportojnë se kanë parë një kufomë njeriu që po nxirrej nga një apartament. Një trup tjetër  i pajetë u gjet në rrugë

Të shtunën në mëngjes, policia gjeti dy trupa në një zonë banimi në Lozanë, raporton gazeta “24 Heures”. Një burrë është hedhur nga apartamenti i tij në katin e gjashtë dhe ka vdekur. Kjo u konfirmua nga policia e qytetit të Lozanës.

Sipas fqinjëve, një trup i dytë u gjet në apartament, transmeton albinfo.ch. Policia më vonë konfirmoi se një grua u gjet e vdekur në apartamentin nga i cili u hodh burri. Besohet se ajo është gruaja e tij.

Me sa duket, një familje me katër anëtarë është prekur në këtë rast, raporton më tej “24 Heures”. Banorët e përshkruajnë çiftin si rreth 50 vjeç. Burri thuhet se është me origjinë etiopiane, gruaja me origjinë zvicerane. Dy fëmijët e tyre janë adoleshentë, një djalë dhe një vajzë midis 15 dhe 17 vjeç.