Lajme

Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës

Nga hapja solemne e Xhamisë Shqiptare në Tafers – Friburg

Më 2 nëntor 2025, në Tafers të Kantonit të Friburgut, u zhvillua ceremonia solemne e hapjes së Xhamisë Shqiptare, një ngjarje që i kaloi kufijtë e një inaugurimi fetar dhe u shndërrua në simbol të bashkëjetesës, respektit dhe dinjitetit ndërkulturor.

Kryetari i xhamise z. Bedrudin Saduloski duke u intervistuar nga gazetarja e Albinfo.ch, znj. Luljeta Ademi

Në këtë ditë të mbushur me emocion, dritë dhe reflektim, u ndje fuqishëm se ndërtimi i kësaj xhamie nuk ishte vetëm ngritje e mureve, por ndërtim i një hapësire shpirtërore që bashkon besimin me kulturën, rrënjët me integrimin dhe shqiptarët me shoqërinë zvicerane.

Ngjarja, e organizuar nga Bashkësia Kulturore Islame Shqiptare e Friburgut, u karakterizua nga një harmoni shembullore në çdo detaj. Programin e moderoi me një artikulim dhe diksion të pastër gjuhësor si në shqip ashtu edhe në gjermanisht prezantuesja Nadire Mustafi, hulumtuese në Universitetin e Friburgut, e cila i dha ceremonisë një ton solemn dhe përfshirës. Atmosfera e mikpritjes u ndje që në hyrje: xhamia e re, me arkitekturë moderne dhe dritë natyrale, më shumë i ngjante një qendre shpirtërore dhe kulturore bashkëkohore, ku çdo hapësirë ishte menduar për t’i shërbyer komunitetit, nga salla e faljes, te biblioteka, këndi i fëmijëve, ambientet arsimore dhe restoranti në katin përdhes, ku pas ceremonisë u shërbye ushqim tradicional shqiptar, i përgatitur me dashuri nga gratë e xhamisë. Aroma e byrekut dhe e ëmbëlsirave të vendlindjes i bashkoi të gjithë në një ndjenjë familjare që e kalonte gjuhën dhe kulturën.

z.Jean-François Steiert, President i Këshillit të Shtetit dhe Drejtor për Zhvillim Territorial, Infrastruktura dhe Mjedis në Kantonin e Friburgut

Pjesëmarrësit ishin të shumtë dhe të larmishëm, përfaqësues të institucioneve zvicerane, të komuniteteve fetare, akademikë, imamë, teologë, sportistë dhe qytetarë nga e gjithë Zvicra. Ndër ta, Jean-François Steiert, President i Këshillit të Shtetit dhe Drejtor për Zhvillim Territorial, Infrastruktura dhe Mjedis në Kantonin e Friburgut, mbajti një fjalim të ngrohtë e reflektues mbi bashkëjetesën ndërfetare: “Ndërtimi i një shtëpie të Zotit kërkon gjithmonë durim dhe përkushtim. Kjo xhami është më shumë se një objekt, është një qendër bashkimi, ku feja, kultura dhe komuniteti jetojnë në harmoni. Friburgu është një kanton i larmishëm, jo vetëm për shumëgjuhësinë e tij, por edhe për mozaikun fetar që e pasuron. Të gjitha fetë, pavarësisht formës, kanë një thelb të përbashkët – përulësinë, respektin për jetën dhe dëshirën për të bërë mirë. Kjo xhami është simbol i kësaj fryme.”

Kryetari i xhamisë, z. Bedrudin Saduloski

Në fjalën e tij, kryetari i xhamisë, Bedrudin Saduloski, theksoi se ky projekt ishte fryt i një pune të përbashkët e të qëndrueshme: “Sot nuk po hapim vetëm një ndërtesë, por një shtëpi të besimit dhe të bashkëjetesës. Kjo xhami është rezultat i qindra orëve vullnetare, i durimit dhe i përkushtimit të brezave që ndërtuan një vatër shpirtërore për të ardhmen.”

Hfz. Liridon Ziberi, imami i xhamisë

Imami i xhamisë, Hfz. Liridon Ziberi, në fund të fjalimit të tij, shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që e bënë të mundur ndërtimin e kësaj vepre të përbashkët. Ai kujtoi me respekt themeluesit e parë të xhamisë shqiptare në Friburg, të cilët, plot 29 vite më parë, hodhën themelet e para të kësaj bashkësie: “Falënderimi u takon të gjithë donatorëve, kryesisë së vjetër që nisi rrugën dhe asaj të tanishme që e çoi deri në fund këtë projekt madhështor. Mirënjohje e veçantë për ata burra të devotshëm që para gati tri dekadash e themeluan xhaminë e parë shqiptare në Friburg, zanafilla e gjithçkaje që po gëzojmë sot.”

Znj.Mualja Medziti, teologe

Një nga momentet më prekëse ishte fjalimi i teologes Mualja Medziti, e cila me thellësi shpirtërore solli kujtesën e përpjekjeve të grave në këtë rrugëtim: “Kjo xhami është dëshmi se pas çdo vështirësie, Zoti sjell dritë dhe mëshirë. Këtu do të dëgjohet zëri i Kuranit, do të rriten breza me dije dhe moral. Gratë janë shtylla e çdo ndërtimi shpirtëror, sepse në duart e nënave fillon edukimi i brezit.”

Nga ana e tij, Mirhat Medziti, inxhinieri i projektit dhe sekretar i xhamisë, kujtoi me emocion se gjithçka kishte nisur nga një ëndërr e pesë shqiptarëve në Friburg, që prej vitit 1996 dëshironin të krijonin një hapësirë ku të ruhej feja, gjuha dhe kultura shqiptare. “Sot, ajo ëndërr u bë realitet dhe është simbol i paqes, bashkimit dhe identitetit tonë.”

Sherif Tupani, ish kryetar i xhamisë dhe inicues i blerjes së objektit

Një moment i ngrohtë ishte edhe fjalimi i Sherif Tupanit, ish kryetar dhe iniciator i blerjes së objektit: “Sot është një ditë krenarie për të gjithë ne. Kjo vepër është ndërtuar mbi themele mirësie e përkushtimi. Le ta ruajmë këtë frymë vëllazërie që na bashkoi – sepse kështu na mëson Islami: të jemi bashkë, unikë dhe solidarë në çdo hap të jetës.”

Imam Fehim ef. Abazi, zv.Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës

Në fund të ceremonisë, Imam Fehim ef. Abazi, në emër të Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, falënderoi autoritetet zvicerane për mbështetjen dhe mirëkuptimin: “Kjo xhami nuk është vetëm vend faljeje, por qendër edukimi dhe solidariteti. Ne e nderojmë mikpritjen e Zvicrës me punë të ndershme dhe me respekt për ligjin. Zoti e bekoftë këtë vend dhe popullin shqiptar.”

Jakup Mexhiti, një ndër anëtarët më të vjetër të xhamisë

Pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova ndanë emocionet e tyre për këtë ditë historike. Jakup Mexhiti nga Shkupi tha me mall: “Kjo nuk është vetëm një xhami, por një qendër bashkimi për shqiptarët, një vend ku çdo njeri ndihet në shtëpi.” Ndërsa besimtari Milaim Derguti nga Kosova shtoi: “Pas pesë vitesh ndërtim, sot kemi shtëpinë tonë të lutjes, vetëm pak metra larg shtëpive tona. Është një ndjenjë e veçantë që fjalët nuk e përshkruajnë dot.”

Nadire Mustafi, hulumtuese në Universitetin e Friburgut ka bërë moderimin e aktivitetit

Ceremonia u përmbyll me një atmosferë festive, ku gratë e bashkësisë përgatitën një aperitiv tradicional, duke e kthyer fundin e ditës në një festë të ngrohtë miqësie dhe solidariteti. Në çdo fytyrë shihej krenaria e qetë e një komuniteti që, mes dy kulturave, ndërton ura, jo mure.

Xhamia Shqiptare e Tafersit tashmë është më shumë se një vend faljeje – ajo është një pikëtakim i kulturave, një hapësirë ku drita e fesë dhe e dijes ushqen bashkëjetesën, ku rrënjët shqiptare gjejnë vend në tokën mikpritëse të Zvicrës. Është dëshmi e një kapitulli të ri të historisë shqiptaro-zvicerane: një urë mes identitetit dhe integrimit, mes shpirtit dhe bashkësisë.

📸 Fotografitë nga ceremonia janë realizuar nga mjeshtri i fotografisë Rromir Imami. Galeria e plotë e fotografive të evenimentit, gjindet këtu: Galeria e hapjes së Xhamisë së Fribourgut