Portrete të firmave

Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës

“Vajzë”: Moda si urë mes kulturave

Fjolla dhe Ardiana janë themeluese të “Vajzë”, një iniciativë mode me bazë në Cyrih dhe Prishtinë, që ndërthur kreativitetin ndërmjet Zvicrës dhe trojeve shqiptare, shkruan albinfo.ch.

“Vajzë” ka lindur nga dëshira për të lidhur diasporën me vendlindjen, duke sjellë dizajn bashkëkohor dhe duke bashkëpunuar me atelie të vogla në Kosovë dhe rajon, ku tradita dhe kujtesa rikrijohen në formë të re.

Vlen të theksohet se më 8 nëntor 2025 do të prezantohet koleksioni i parë në Gallerie Soon në Cyrih.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me Fjollen dhe Ardianen, themeluese të “Vajzë”:

Si lindi ideja për “Vajzë”? Cila ishte frymëzimi fillestar që ju shtyu ta krijoni këtë iniciativë?

Ideja lindi nga një dëshirë për lidhje – për të ndërtuar një gjuhë që pasqyron përvojën mes memedheut dhe Zvicrës apo diasporës. “Vajzë” u krijua si një platformë bashkëpunimi, ku njerëz, ide dhe kompetenca të ndryshme takohen dhe frymëzohen.

Si e përkufizoni “Vajzë” – është më shumë një brand mode, një projekt kulturor apo një urëmes vendeve?

“Vajzë” është një label i modës për femra – por edhe shumë më tepër se kaq. Është një platformë bashkëpunimi, ku moda takon artin, kulturën dhe zërat e rajoneve shqiptare dhe të diasporës. Në thelb, ajo krijon lidhje – mes Prishtinës dhe Zürich, mes atyre që krijojnë dhe atyre që e veshin. Përmes veshjeve, “Vajzë” bëhet një hapësirë e përbashkët, ku tekstile, kujtime dhe përvoja si në një thread.

Ju e përmendni se jeni pjesë e gjeneratës së dytë të diasporës. Si ka ndikuar kjo përvojë nëmënyrën se si krijoni dhe mendoni për identitetin?

Të jesh pjesë e gjeneratës së dytë të diasporës do të thotë të jetosh me shumë shtresa identiteti. Në rastin tonë, ajo përvojë ka formuar mënyrën si krijojmë – gjithmonë në kërkim të fijeve që lidhin historinë personale me atë kolektive. Ka diçka thellësisht shqiptare në mënyrën si e ndjejmë përkatësinë, në kujtesën e punës me dorë, në ritmet dhe detajet që na frymëzojnë. Por njëkohësisht, “Vajzë” është e hapur – ndaj bashkëpunimeve përtej Kosovës, ndaj zërave të ndryshëm shqiptarë në rajon e diasporë. Kjo rrjetë, që i lidh njerëzit, vendet dhe përvojat, është vetë mënyra si ne e kuptojmë identitetin sot: si diçka që ndërtohet përmes lidhjeve, jo përmes kufijve.

Çfarë sfidash keni hasur duke punuar mes dy konteksteve – Zvicrës dhe Kosovës?

Një nga sfidat më të mëdha ishte fakti që industria e modës, në formën siç e imagjinojmë ne, në Kosovë në të vërtetë nuk ekziston. Pra, ne po veprojmë në njëfarë mënyre në një “Leerstelle” – në një fushë pa struktura, procese apo standarde të vendosura. Kjo ishte fillimisht një nga pengesat më të mëdha për ne, por njëkohësisht edhe një mundësi e jashtëzakonshme.

Pikërisht sepse nuk kishte struktura të gatshme, ne duhej të bashkonim aftësi nga fusha shumë të ndryshme – dizajn, zejtari, organizim, logjistikë, sigurim materialesh – dhe t’i lidhim ato në një mënyrë që të krijohej një zinxhir i plotë i vlerës. Ky proces na detyroi të mendojmë në mënyrë krijuese dhe të zhvillonim forma të reja bashkëpunimi – të ndërtonim ura midis dy sistemeve që në pamje të parë duken pothuajse të papajtueshme, dhe në këtë mënyrë të krijonim diçka origjinale.

Si bashkëpunoni me atelietë dhe artizanët në Kosovë dhe rajon?

Puna zhvillohet me shumë duar bashkë – është një proces vërtet bashkëpunues. Jemi në shkëmbim të vazhdueshëm me atelietë dhe artizanët në Kosovë, sepse secili prej tyre sjell ekspertizë unike në pjesë të ndryshme të procesit. Kjo ndarje e punës dhe besimit e bën “Vajzë” të gjallë – një rrjet bashkëpunimi, jo një prodhim i vetëm.

Sa i rëndësishëm është elementi i trashëgimisë kulturore në dizajnet tuaja?

Dizajni ynë është i pastër dhe klasik, ndërsa motivet kulturore shfaqen më shumë te foulard-et, ku janë të kuruara me kujdes dhe të vendosura me qëllim. Ato vijnë gjithashtu përmes narrativës dhe imazhit – si në setin e fundit të realizuar në malet e Brodit, ku kultura takohet me estetikën bashkëkohore.Për ne është e rëndësishme që publiku dhe klientet të ndihen të hapura, pa u kufizuar nga një lexim etnik apo folklorik i koleksionit.

A mund të na tregoni diçka më shumë për materialet, motivet ose teknikat që përdorni?

Përdorim materiale natyrale dhe me cilësi të lartë, të punuara në mënyrë të qëndrueshme në Evropë dhe të përpunuara më pas në Kosovë dhe në Zvicër. Teknikat janë të përpikta dhe të thjeshta, duke ruajtur një ekuilibër mes dizajnit preciz dhe punës artizanale.

Çfarë mund të presim nga koleksioni që do të prezantohet më 8 nëntor 2025 në Cyrih?

Koleksioni i parë eksploron raportin mes formës dhe lëvizjes. Silhuetat janë të pastra dhe të strukturuara, por me një ndjesi butësie dhe rrjedhshmërie. Është një prezantim që përfshin rroba, hapësirë dhe atmosferë – një mënyrë për ta përjetuar “Vajzë” si tërësi, jo vetëm si veshje.

Si e keni zgjedhur hapësirën e ekspozimit (Gallerie Soon) dhe çfarë simbolike ka për ju?.

E kemi zgjedhur Gallerie Soon sepse ajo reflekton mënyrën si duam të veprojmë — në hapësira ku arti, moda dhe kultura takohen. Ne kemi tashmë një rrjet të fortë në fushën e artit, dhe për ne është e rëndësishme ta përdorim atë për të krijuar hapësira të reja.

Në këtë kuptim, prezantimi në galeri është më shumë se një shfaqje mode — është një deklaratë për bashkëpunim, për ndërlidhje dhe për rolin tonë si brikë ndërmjetësuese.

Çfarë doni që “Vajzë” të përfaqësojë në sytë e diasporës shqiptare dhe publikut zviceran?

Për diasporën shqiptare, duam që “Vajzë” të përfaqësojë një formë të re vetëbesimi dhe përkatësie – një mënyrë për ta parë veten jashtë klisheve, përmes estetikës dhe krijimit.

Për publikun Zviceran, ajo është një ftesë për njohje të reja – për të parë komunitetin shqiptar dhe rajonin si hapësira kreative e bashkëkohore, jo vetëm përmes historive të migrimit, por përmes ideve, bashkëpunimeve dhe formave të reja të shprehjes.

Si e shihni të ardhmen e iniciativës – a planifikoni bashkëpunime të reja, prezantime jashtë Zvicrës apo ndoshta
një linjë prodhimi të qëndrueshme në Kosovë?

E shohim të ardhmen e “Vajzë” si një proces të hapur – jemi kurioze të shohim ku do të na çojë rruga. Në të njëjtën kohë, jemi aktive në kërkim të bashkëpunimeve të reja, veçanërisht me atelie dhe krijuese në rajonet shqiptare, ku duam të zhvillojmë projekte që ndërthurin artin dhe modën. Për ne, çdo hap i ri është një mënyrë për të zgjeruar rrjetin dhe për të krijuar lidhje të qëndrueshme përmes krijimit.

Çfarë do të thotë për ju “të jesh vajzë” sot, mes dy kulturave?

Të jesh “vajzë” sot, mes dy kulturave, do të thotë të lëvizësh lirshëm mes botëve të ndryshme, pa pasur nevojë të zgjedhësh njërën mbi tjetrën. Është të jesh e vetëdijshme, e lidhur dhe e hapur – të krijosh hapësirën tënde, duke ndërtuar ura aty ku dikur ka pasur kufij. Për ne, “të jesh vajzë” është një gjendje krijimi, ndjeshmërie dhe force të vetëdijshme.

Nëse do ta përshkruanit “Vajzë” me tri fjalë, cilat do të ishin ato?

E ndërmjetme. E ndjeshme. E guximshme.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch