Lajme

Dyshohet për krim brenda familjes kosovare në Gjermani, gruaja mbytet, burri vetëvritet

Tragjedi në Siegen: Burri kosovar vret gruan dhe kryen vetëvrasje

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur më 10 tetor në qytetin gjerman të Siegenit, ku një burrë me origjinë nga Kosova dyshohet se ka mbytur gruan e tij, përpara se të vetëvritej, transmeton albinfo.ch.

Referuar njoftimeve nga Policia e Siegenit, në orët e para të mëngjesit së premtes, një operacion policor u zhvillua në një kompani në rrugën Maccostrasse, në lagjen Eiserfeld. Punonjësit kishin gjetur të varur një 39-vjeçar, punëtor i po të njëjtës kompani. Fillimisht, autoritetet gjermane e cilësuan rastin si vetëvrasje, pasi nuk u gjetën shenja të ndërhyrjes së ndonjë personi tjetër.

Megjithatë, vetëm disa orë më vonë, policia u njoftua për një tjetër ngjarje tragjike në të njëjtin qytet. Gruaja e viktimës, 40 vjeçare me shtetësi gjermane, u gjet e pajetë në banesën e çiftit. Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore, u konstatua se ajo ishte mbytur me duar.

Hetimet e mëvonshme kanë çuar në përfundimin paraprak se bashkëshorti i saj është përgjegjës për vdekjen e saj, përpara se të kryente vetëvrasje. Policia gjermane ka konfirmuar se deri më tani nuk ekziston asnjë provë që të përfshijë persona të tjerë në këtë ngjarje.

“Në bazë të gjetjeve të deritanishme, ekzistojnë indicie të forta se bashkëshorti 39-vjeçar është përgjegjës për vdekjen e 40-vjeçares. Hetimet janë ende në vazhdim dhe rezultatet përfundimtare priten së shpejti,” thuhet në njoftimin e policisë së Siegenit, shkruan Klan.

Çifti kishte dy fëmijë të mitur, të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e Zyrës për Mirëqenien e të Rinjve në Gjermani.

Një element që ka ngjallur interes është fakti se asnjë media gjermane nuk ka raportuar për rastin deri më tani. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia gjermane për Klankosova.tv, duke theksuar se për shkak të mbrojtjes së privatësisë së familjes dhe veçanërisht të fëmijëve, nuk është bërë asnjë komunikim i qëllimshëm me shtypin.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe atë shqiptar në Gjermani, duke rikthyer në vëmendje çështjet e dhunës brenda familjes dhe pasojat e saj tragjike.