Lajme

Filmi shqiptar „Streha mes reve“, bëri bashkë komunitetet fetare në Wil

Pjesëmarrës: Xhamia Wil, Kisha Katolike dhe ajo Evangjeliste në bashkëpunim me Departamentin për Integrim dhe Kulturë të qytetit Wil

Zakonisht dita e dielë, është një ditë pushimi dhe relaksi për shumicën e popullatës që jeton në Zvicër. Por kjo ditë nuk ishte e tillë për krerët e komuniteteve fetare në qytezën e Wil-it, në Kantonin St.Gallen.

Kësaj radhe tri komunitetet fetare me përfaqësuesit e tyre nga xhamia Wil, Kisha Katolike dhe ajo Evangjeliste në bashkëpunim me Departamentin për Integrim dhe Kulturë të qytetit Wil, ishin bërë bashkë për të ndjekur një film shqiptar në kinemanë e qytetit, me mesazhe fetare, bashkëjetese, e motive herë unifikuese e herë tjera ndarëse.

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, i ishin përgjigjur ftesës së organizatorëve, shkruan albinfo.ch.

U fikën dritat dhe ja tek filloi filmi „Streha mes reve“, i regjisorit nga Shqipëria, Robert Budina, i dubluar në gjuhën gjermane. Një peisazh malor i mahnitshëm, u paraqit në ekranin e madh ndërsa blegërima e dhive, bashkë me kambanat e tyre dëgjoheshin në sfond.

Aty në natyrë shfaqet dhe protagonisti kryesor i Filmit, Besniku, duke u lutur i vetëm në mes të një mali. Ai si mysliman, jetonte në një fshat të ndërtuar në bjeshkët e larta, bashkë me shqiptarë të komunitetit katolik. Ata jetonin bashkë, ndanin bjeshkët, tokën, kafenenë, madje dikur të krishterët kishin ndarë dhe kishën e tyre bashkë me myslimanët, ndërsa Besniku mundohej që ato kohëra të lashta t`i kthente përsëri, duke u folur njerëzve me pafajësinë e tij dhe duke luftuar me ndarjet që tani ishin më të thella dhe unifikimi i popullit dukej shumë i vështirë.

Të pranishmit, shqiptarë dhe zviceranë, patën rastin që përmes mesazhit të fuqishëm që përçonte filmi shqiptar, të mësojnë për të kaluarën e shqiptarëve, ku besimet e ndryshme ishin pjesë e tryezës së përbashkët në familjet shqiptare. Përmes filmit paraqitej realiteti i një shoqërie multikonfesionale siç është ajo e jona, por dhe sfidat për të vazhduar gjithsecili me besimin e tij, larg paragjykimeve të njërës apo palës tjetër.

Pas përfundimit të Filmit, u zhvillua një bisedë mes përfaqësuesve fetarë, moderuar nga teologia Ann – Katrin Gässlein, e cila herë pas here ngacmonte të pranishmit me pyetjet e saj. U vlerësua lart përmbajtja e filmit, për të shtuar më pas dhe komentet e tyre, lidhur me mesazhet që mund të nxirrnin nga momentet e caktuara të përçuara nga aktorët shqiptarë.

Për t`i dhënë peshë edhe më shumë këtij takimi, aty ishte e pranishme edhe presidentja e Parlamentit të qytetit, Meret Grob, që vjen nga Partia e Gjelbër, e cila bëri hapjen e këtij aktiviteti.

Bekim Alimi, Imam në xhaminë e Wil-it, kur foli rreth përmbajtjes dhe mesazheve, u ndal tek personaliteti i Besnikut, i cili në këtë film paraqitej si personazh unifikues mes dy komuniteteve fetare të fshatit të tij. Edhe pse i heshtur, ai punonte shumë për të mbajtur të bashkuar familjen. Në njërën anë vëllain me familjen e tij ortodokse dhe në anën tjetër motrën me familjen e saj myslimane.

Në këtë kontekst Alimit tha se “Besniku edhe pse i heshtur, foli më shumë se të gjithë të tjerët“, duke aluduar në përforcimin e dialogut, tolerancës dhe bashkëjetesës. Kur foli për dialogun ndërfetar në qytezën e Wil-it, Alimi u shpreh i kënaqur me punën e zhvilluar ndër vite, duke theksuar se xhamia ku ai është Imam, vazhdon të punojë ngushtë me institucionet e ndryshme vendore, me qëllim të ndërtimit të një klime tolerante dhe unifikuese“.

„Në Wil nuk ekzistojnë geto, as klasa të ndara të njerëzve. Ne sot jemi të kënaqur që mund të kthejmë një copë bukë mbrapsht“- tha Alimi, duke kujtuar të kaluarën kur shqiptarët ishin si mysafirë dhe sot pas kaq shumë vitesh, këtë qytezë e kanë kthyer në shtëpi të tyre.

Sabine Kutsch, në këtë takim, përfaqësonte Komunitetin Katolik të Will-it. Ajo foli për një botë ku toleranca dhe bashkëjetesa janë kryefjala, ndërsa duke komentuar pjesë nga filmi, Kutsch krahasoi personalitetin e Besnikut me protagonistë të krishterë nga historia e largët e krishterimit. “Këtë personalitet e gjejmë edhe në krishterim. Krishtlindja ma kujtoi një gjë të tillë dhe histori të tjera ka gjithashtu“, tha zonja Kutsch, kur po fliste për karakterin unifikues dhe tolerant që shfaqte aktori, në rolin e Besnikut.

Derisa dy parafolësit u përqendruan tek Besniku dhe mesazhi unifikues që ai përçonte me artin e tij të fjalës dhe mimikës, Prifti Christoph Casty nga Kisha Evangjeliste e Wil-it, u përqendrua tek ndasitë që mund të rrjedhin ndonjëherë, madje edhe brenda një familjeje, si rezultat i besimeve të ndryshme.

Ai madje mori një shembull nga familja e tij, me ç`rast u tregoi të pranishmëve historinë e babait dhe nënës së tij. Si të rinj ata ishin dashuruar. Por me babanë katolik dhe nënën protestante, gjërat nuk kishin qenë dhe aq të lehta. Megjithatë në fund mbisundoi dialogu dhe toleranca, u shpreh Casty. Në këtë kontekst, Christoph Casty u rikujtoi të pranishmëve aktivitetet e shumta të organizuara ndër vite, me idenë e afrimit dhe ndërtimit të një klime relaksuese mes komuniteteve në qytezën e Wil-it.

Cornelia Kunz, deputete nga FDP-ja tha po ashtu disa fjalë inkurajuese në mbyllje të këtij aktiviteti. Ajo falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, duke i inkurajuar për të vazhduar me aktivitete të këtilla edhe në ta ardhmen.

Në fund, kur fjalët kishin përfunduar, në Restaurantin e Kinemasë, na priste një tryezë e pasur me pije dhe ushqime të freskëta.