Lajme

Urime për fillimin e vitit të ri shkollor në Zvicër!

Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka uruar nxënësit dhe mësuesit në Zvicër!

“Të nderuar nxënës, prindër dhe mësues. Me fillimin e vitit të ri shkollor, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë ju përcjell urimet më të përzemërta për një vit të mbarë, plot suksese dhe përparim në rrugëtimin tuaj arsimor dhe personal.

Ky moment i ri është gjithmonë një mundësi e re për të nxitur dëshirën për dije, për të kultivuar identitetin dhe për të forcuar lidhjet me kulturën dhe traditat tona kombëtare.

Në veçanti, i drejtohemi me respekt dhe mirënjohje të thellë nxënësve që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Ju jeni brezi që me përkushtim dhe entuziazëm mbani gjallë lidhjen e çmuar me gjuhën dhe atdheun, duke treguar se edhe larg vendit të origjinës, gjuha shqipe është pasuria jonë më e madhe dhe një urë lidhjeje me rrënjët tona. Gjuhën tonë e quajmë shpirtin e kombit, dhe kjo vlerë e thellë është trashëguar nga rilindasit tanë, të cilët e kanë cilësuar gjuhën shqipe si elementin më të rëndësishëm të identitetit tonë kombëtar.

Pa përkushtimin dhe sakrificën e mësuesve vullnetarë, që prej më shumë se tridhjetë vjetësh japin me pasion dhe përkushtim dijen e tyre dhe kulturën shqiptare brezave të rinj në diasporë, kjo lidhje me gjuhën dhe traditën do të ishte shumë më e vështirë të ruhej dhe zhvillohej. Falënderojmë zemërgjerësisht mësuesit, por edhe prindërit, të cilët me sakrifica të shumta mbështesin këtë përpjekje të përbashkët. Ju jeni shtylla kryesore që sigurojnë që brezat e ardhshëm të mos humbin identitetin dhe të vazhdojnë të ndjehen pjesë e kombit tonë.

Shteti i Kosovës, përmes Ambasadës në Bernë, Konsullatave në Gjenevë dhe Cyrih, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, i kushton një rëndësi të veçantë dhe investon në ruajtjen dhe zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër. Ky bashkëpunim institucional është dëshmi e angazhimit tonë për të mbështetur dhe forcuar lidhjen kulturore dhe arsimore me atdheun, në mënyrë që brezat e rinj të jenë krenarë për origjinën dhe trashëgiminë e tyre.

Në këtë kuadër, ju bëjmë thirrje të gjithë prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe të vazhdojnë të jenë pjesë aktive në këtë proces të rëndësishëm. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme ku gjuha, kultura dhe traditat tona do të jenë gjithmonë pjesë e jetës së përditshme të brezave të rinj.

Ju urojmë që ky vit shkollor të jetë i mbushur me dije të reja, arritje të larta dhe përvojë të pasur, duke ju inkurajuar të ecni përpara me krenari, dashuri dhe përgjegjësi për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër.

Edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë përcjell urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e thellë për mësuesit e gjuhës shqipe në Zvicër, të cilët me përkushtim, dashuri dhe profesionalizëm u japin fëmijëve tanë mundësinë të rriten me gjuhën dhe kulturën e tyre amtare.

“Si çdo vit, Ambasada mbështet këtë mision fisnik edhe me shpërndarjen falas të teksteve të gjuhës shqipe për nxënësit në Zvicër nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Së shpejti do të shpërndahen të gjitha tekstet e kërkuara nga mësuesit shqiptarë, duke u mundësuar fëmijëve vazhdimësi në mësim dhe lidhje më të fortë me gjuhën e nënës.

Ftojmë të gjithë prindërit shqiptarë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat e gjuhës shqipe, sepse ruajtja e gjuhës është ruajtja e identitetit tonë kombëtar.

Gëzuar vitin e ri shkollor dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve!”, thuhet në njoftim.