Kosova

Korriku, muaji më i suksesshëm ndonjëherë për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Korriku 2025, muaji më i ngarkuar ndonjëherë për Aeroportin e Prishtinës me mbi 458 mijë udhëtarë

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar një tjetër rekord historik. Vetëm gjatë muajit korrik 2025, aeroporti u shfrytëzua nga plot 458,348 pasagjerë, duke e bërë atë muajin më të suksesshëm ndonjëherë në historinë e aeroportit, transmeton albinfo.ch.
Krahasuar me korrikun e vitit 2024, ka pasur një rritje prej 9.24% në numrin e pasagjerëve, ndërsa numri i fluturimeve u rrit për 8.11%, duke arritur në 3,298 fluturime për dhe nga Prishtina (krahasuar me 2,958 fluturime dhe 419,578 pasagjerë në korrik 2024).
“Duke fluturuar drejt horizonteve më të larta!”,  ky është mesazhi që shoqëron statistikat e publikuara në faqen zyrtare të Aeroportit në rrjetet sociale, që pasqyrojnë një trend të qëndrueshëm të rritjes.
Rekordi i korrikut nuk është rastësor,  ai vjen si vazhdimësi e një performance të jashtëzakonshme që ka karakterizuar çdo muaj të vitit 2025. Që nga janari, Aeroporti ka parë rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtët muaj të vitit paraprak:
Janari: +19.8%
Shkurti: +16%
Marsi: +11%
Prilli: +22%
Maji: +13%
Qershori: +17%
Ky ritëm i rritjes e ka pozicionuar Aeroportin e Prishtinës si një nga më të shpejtë-rritësit në Evropë. Sipas një raporti të fundit nga ACI Europe, Aeroporti i Prishtinës renditet i katërti në listën e aeroporteve me rritjen më të madhe të trafikut që nga viti 2019  me një rritje prej 72.1% në numrin e pasagjerëve.
Për më tepër, në vitin 2024 Aeroporti theu një tjetër rekord duke tejkaluar për herë të parë katër milionë pasagjerë brenda një viti, një dëshmi e qartë e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që ka në rajon dhe për diasporën. /Albinfo.ch