Lajme

Pse turbulencat gjatë fluturimeve po bëhen më të shpeshta

Tashmë turbulencat gjatë fluturimeve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të forta, kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Kjo sjell rreziqe për pasagjerët dhe ekuipazhin, por edhe kosto shtesë për linjat ajrore.

Ekspertët po kërkojnë zgjidhje, nga teknologjitë më të avancuara e deri te ndryshimet në procedurat e fluturimit, për ta bërë udhëtimin ajror më të sigurt

Andrew Davies ishte rrugës për në Zelandë të Re për të punuar në një ekspozitë të Doctor Who, ku ai ishte menaxher projekti. Pjesa e parë e fluturimit, nga Londra në Singapor, kaloi pa probleme. Por pastaj, papritur, avioni hyri në turbulenca shumë të forta.

“Ndjesia ishte si të isha në një tren të shpejtë në park argëtimi”, kujton ai. iPad-i më goditi në kokë, kafeja u derdh mbi mua. Në kabinë kishte rrëmujë të madhe – njerëz dhe sende të shpërndara kudo. Njerëzit po qanin dhe nuk besonin çfarë kishte ndodhur”.

Davies thotë se ishte “nga ata me fat”.

Të tjerë pasagjerë pësuan plagë dhe fraktura. Një burrë 73-vjeçar, Geoff Kitchen, vdiq nga një sulm në zemër.

Vdekjet për shkak të turbulencave janë shumë të rralla. Nuk ka të dhëna zyrtare, por mendohet se që nga viti 1981 kanë ndodhur vetëm rreth katër raste. Megjithatë, numri i të lënduarve është shumë më i madh.

Vetëm në SHBA, që nga viti 2009, janë raportuar 207 raste të lëndimeve të rënda – ku personi është shtruar në spital për më shumë se 48 orë – sipas të dhënave zyrtare të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit. Nga këto raste, 166 kanë qenë pjesëtarë të ekuipazhit, të cilët ndoshta nuk kanë qenë ulur në sedilje gjatë turbulencës.

Por ndërsa ndryshimet klimatike ndikojnë në atmosferë, ekspertët paralajmërojnë se udhëtimet ajrore mund të bëhen më të trazuara. Ndryshimet në temperaturë dhe në drejtimin e erërave në lartësi pritet të sjellin më shumë turbulenca dhe më të forta.

“Presim që numri i rasteve me turbulenca të forta të dyfishohet apo edhe të trefishohet në dekadat e ardhshme”, thotë profesori Paul Williams, një shkencëtar atmosferik në Universitetin e Reading.

“Sot, nëse kemi 10 minuta turbulencë të fortë, në të ardhmen kjo mund të bëhet 20 apo 30 minuta”.

Pra, nëse turbulencat shtohen dhe forcohen, a mund të bëhen më të rrezikshme? Apo ka mënyra të zgjuara që linjat ajrore t’i bëjnë avionët më të sigurt ndaj turbulencave?

Rruga ajrore me më shumë turbulenca: Atlantiku i Veriut

Turbulenca e fortë ndodh kur lëvizjet lart e poshtë të avionit, ndërsa kalon në ajër të trazuar, ushtrojnë më shumë se 1.5 herë forcën e gravitetit (1.5g) mbi trupin tuaj – mjaftueshëm që t’ju ngrejë nga sedilja nëse nuk keni vendosur rripin e sigurisë.

Vlerësimet tregojnë se çdo vit ndodhin rreth 5.000 raste me turbulenca të forta ose më të rënda, nga gjithsej mbi 35 milionë fluturime në të gjithë botën.

Sipas raportit vjetor të sigurisë nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, gati 40% e plagëve serioze që pësuan pasagjerët gjatë fluturimeve në vitin 2023 erdhën si pasojë e turbulencave.

Rruga ajrore mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, Kanadasë dhe Karaibeve është ndër zonat më të prekura. Gjatë 40 vjetëve të fundit, qëkur satelitët kanë filluar të vëzhgojnë atmosferën, është parë një rritje prej 55% në turbulencat e forta mbi Atlantikun e Veriut.

Por një studim i fundit tregon se edhe rajone të tjera pritet të përjetojnë më shumë turbulenca në të ardhmen. Ndër to përfshihen pjesë të Azisë Lindore, Afrikës Veriore, Paqësorit të Veriut, Amerikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme.

Efektet zinxhir të ndryshimeve klimatike

Ka tri arsye kryesore pse ndodhin turbulencat gjatë fluturimeve: nga retë dhe stuhitë (turbulenca konvektive), nga ajri që përplaset me zonat malore (turbulenca orografike) dhe nga ndryshimet e papritura të erës në lartësi, në ajër të pastër (turbulenca në ajër të pastër). Çdo lloj prej këtyre mund të sjellë turbulenca të forta. Por ndërkohë që turbulencat që ndodhin për shkak të reve apo maleve shpesh mund të shmangen, ato në ajër të pastër janë më të vështira për t’u parashikuar, sepse nuk shihen. Nganjëherë, turbulenca të tilla ndodhin krejt papritur, si të dilnin nga hiçi.

Ndryshimet klimatike po bëhen një nga faktorët kryesorë që po i shtojnë si turbulencat konvektive ashtu edhe ato në ajër të pastër. Edhe pse lidhja mes klimës dhe stuhive është e ndërlikuar, dihet se një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, dhe kur nxehtësia bashkohet me lagështinë, krijohen stuhi më të forta. Kjo lidhet direkt me turbulencat, pasi ato që shkaktohen nga stuhitë, krijohen nga ajri që ngrihet dhe bie me shpejtësi brenda reve, veçanërisht në re të tipit kumulonimbus, të cilat janë re stuhish ku lëvizjet e ajrit janë shumë të fuqishme.

Kjo ishte edhe arsyeja e turbulencës së fortë që përjetoi Andrew Davies gjatë fluturimit të tij në vitin 2024. Një raport nga Byroja e Hetimeve të Sigurisë së Transportit në Singapor tregoi se avioni kishte gjasa të ishte duke fluturuar mbi një zonë me zhvillim të aktivitetit të stuhive, në jug të Birmanisë. Kjo solli 19 sekonda turbulencë ekstreme, ku avioni ra për  54 metra për më pak se pesë sekonda.

Një studim i kryer në SHBA dhe i publikuar në revistën shkencore Science në vitin 2014 tregoi se për çdo rritje me një gradë Celsius të temperaturës globale, rrufetë rriten me 12 për qind. Kapiten Nathan Davies, një pilot komercial, thotë se ka vënë re se vitet e fundit ka më shumë shenja stuhish që shtrihen në hapësira shumë të mëdha, deri në 80 milje në diametër, gjë që më parë ishte e rrallë. Ai shton se retë e mëdha të tipit kumulonimbus janë të dukshme dhe mund të shmangen, përveç rasteve kur janë të fshehura brenda reve të tjera.

Por ajo që përbën rrezik më të madh për të ardhmen është turbulenca në ajër të pastër. Ajo shkaktohet nga lëvizjet e çrregullta të ajrit brenda dhe përreth rrjedhës ajrore të quajtur “jet stream”, një rrymë shumë e shpejtë ere që ndodhet rreth gjashtë milje mbi tokë, pikërisht aty ku fluturojnë avionët. Shpejtësia e kësaj rryme mbi Atlantikun, që lëviz nga perëndimi në lindje, mund të shkojë nga 160 deri në 250 milje në orë. Në veri të saj ajri është më i ftohtë, ndërsa në jug më i ngrohtë, dhe kjo diferencë krijon lëvizje të fuqishme të ajrit. Kjo rrymë është e dobishme për avionët, sepse mund të shfrytëzohet si erë pas krahëve për të kursyer kohë dhe karburant, por në të njëjtën kohë ajo sjell edhe turbulenca.

Profesori Paul Williams shpjegon se ndryshimet klimatike po ngrohin më shumë ajrin në jug të kësaj rryme sesa në veri, duke e forcuar dallimin e temperaturës mes dy zonave. Kjo bën që edhe vetë rryma e ajrit të bëhet më e fortë, duke rritur kështu edhe mundësinë për turbulenca më të shpeshta dhe më të forta në ajër.