Integrimi

FC Kosova: «Jemi në formën tonë historike»

FC Kosova e Cyrihut, të shtunën që shkoi ka prekur ëndrrën dhe ka bërë histori. Ai është bërë klubi i parë shqiptar që ngjitet në Ligën e Parë (Classic) të Zvicrës. Kësaj arritjeje i gëzohen jo vetëm të gjithë në këtë klub të madh por edhe publiku që e ndjek FC Kosovën hap pas hapi. Bëhet fjalë për një publik besnik dhe shumë masiv. Mediet zvicerane, duke bërë fjalë për “Fenomenin FC Kosova” nuk kanë lënë pa përmendur se numrin e shikuesve që e ndjekin këtë klub do ta kishin lakmi edhe ekipet në Challengue League (liga e dytë pas superligës).

Sidoqoftë, arsyen më të fortë për t`u mburrur me këtë arritje e kanë lojtarët, stafi trajnues e teknik dhe sigurisht, kryetari i klubit.
albinfo.ch, e cila ka ndjekur në vazhdimësi avancimin e FC Kosovës, ka folur me disa nga protagonistët e kësaj arritjeje.

Ekipi ka arritur formën historike për të kaluar një shkallë më lart

Arsim Hyseni, i ekzaltuar nga suksesi, pas ndeshjes kurorëzuese, ka qenë me siguri figura qendrore në fushën e futbollit të Amiswilit. Ai flet me mburrje por edhe me maturi rreth suksesit të klubit të tij. “Ka qenë rrezik i madh që ta merrnim një karton dhe kështu të përfundonte gjithçka”, thotë Hyseni dukshëm i lehtësuar pas përfundimit të ndeshjes pa asnjë karton për ekipin e tij. Ai me këtë rast falënderon publikun i cili “na ka përcjellë dhe përkrahur në numër masiv, kudo nga kemi shkruar”.

“Nuk ka qenë rastësi por pikërisht tash klubi ka arritur atë formën historike të duhur për të kaluar në këtë nivel”, thotë Hyseni i prerë, i pyetur nëse ka qenë kjo që ndodhi sivjet arritje e formës historike e ekipit apo përputhje rrethanash. “Them kështu sepse edhe lojtarët me kohë janë pjekur. Vetëdijesimin e tyre se “duhet” hyrë në ligën e parë e tregon edhe fakti se tri lojërat e fundit i kemi fituar duke pësuar vetëm një gol, i kemi dhënë 10 gola dhe nuk jemi ndëshkuar me asnjë karton. Kjo na ka ndihmuar definitivisht”, shprehet Hyseni për albinfo.ch.

Ai tashmë pranon se intimisht kreu i klubit që nga fillimi i kampionatit ka pasur ambicien për ngjitje në ligën e parë. “Por lojtarëve nuk ua kemi komunikuar këtë synim me qëllim që të mos ushtrojmë presion mbi ta”, shton ai.

Hyseni nuk fsheh ambiciet: Pas “Classic”-ut edhe në “Promotion league”

Ndryshe, Hyseni ka besim të plotë se ekipi i tij do ta ketë një stabilitet në nivelin e ri të garave. “Kemi ekip shumë të përgatitur dhe jemi të qëndrueshëm edhe financiarisht, madje mund të them se jemi klubi më stabil në regjion. Kushtet tjera që kërkohen për mesin e ri i kemi të plotësuara me kohë. Si shembull, ne kemi 6 ekipe vetëm të juniorëve. Në sezonin e ri do t`i kemi 10 ose 11 ekipe gjithsej. Prandaj po apeloj te të gjithë shqiptarët në qytetin e Cyrihut por edhe me gjerë, që të na bashkohen, të paraqiten me fëmijët e tyre në klub, qysh nesër. Ne u ofrojmë një strukturë vërtet të avancuar që do t`i trajtojë profesionalisht dhe do t`u ofrojë shans fëmijëve të tyre”, apelon përmes albinfo.ch Arsim Hyseni, kryetar i FC Kosova. Ai nuk e fsheh ambicien për nivel edhe më të lartë garash. “Fillimisht duhet të mësohemi me mesin e ri e pastaj, pse jo, të shikojmë edhe për më lart. Ne i kemi të gjitha kushtet për të vazhduar më tutje”, përfundon Hyseni.

Osmani: Edhe në mesin e ri do të kemi një rol me peshë

Për Enver Osmanin, trajner prej disa vitesh i ekipit të parë të FC Kosova, ngjitja në Ligën e parë ka rëndësi historike. “E ka këtë rëndësi në aspektin simbolik dhe në atë sportiv. Simbolik, për arsye se asnjëherë në historinë e futbollit të Zvicrës nuk ka ndodhur që një ekip shqiptar të ngjitet në një kategori kaq të lartë ndërsa sportiv, për faktin se shqiptarëve kështu u krijohet një arenë ku mund të dëshmojnë aftësitë e tyre sportive në një nivel më të lartë”, thotë Osmani.

Lidhur me sfidën që paraqet rangu i ri i garave ai thotë se nga aspekti sportiv, “do të kemi një rol me peshë mesin e ri. Dihet se një ekip që hyn në një ligë më të lartë fillimisht synon stabilizimin. Por, në saje të nivelit që kemi, me fare pak përmirësime them se ne do të kemi një rol me peshë në atë ligë”, shprehet i bindur Enver Osmani.

Ëndrra mbi 20 vjeçare, e realizuar

“Këtë ëndërr e kemi mësyrë qe 20 vite si klub ndërsa këto pesë vite që unë jam në këtë klub, këtë e kemi intensifikuar dhe tash që e arritëm, jemi shumë të kënaqur pasi që kemi një ekip shumë të fortë”. Kështu thotë kapiteni i ekipit, Nesret Limani i cili më parë ka luajtur edhe në Challenge League. “Sigurisht, kam shpresa reale që edhe me FC Kosovën të mbërrijmë në atë nivel (Challengue League). Por duhet punuar hap pas hapi që të zëmë vend fillimisht në shoqërinë e re”, shprehet kapiteni me përvojë. Ndër lojtarët e dalluar të FC Kosovës është edhe Shpëtim Sadiku, mbrojtës i djathtë. “Ndjehem shumë i kënaqur. Unë për FC Kosovën luaj qe 3 vjet”, thotë Sadiku. Edhe ai beson se FC Kosova do të jetë lojtar i rëndësishëm në Ligën e parë. “Ne kemi kualitet të mjaftueshëm, kemi shumë lojtarë të fortë, atmosfera në klub, mes lojtarëve dhe kreut është shumë e mirë, miqësore dhe sigurisht do të vazhdojë kështu”.

Skënder Thaçi, kryetar i Unionit të Klubeve Futbollistike Shqiptare të Zvicrës, i pranishëm në ndeshje, e përgëzon FC Kosovën. “Kjo është një e arritur e madhe e këtij klubi dhe më e madhja e të gjitha klubeve shqiptare të Zvicrës. Ne krenohemi me këtë sukses të një anëtari tonë, siç është FC Kosova dhe i urojmë suksese në nivelin e ri. Klubi ka një organizim të jashtëzakonshëm, trajner që e kryen me përkushtim punën e tij”, shprehet Thaçi. “Ne si union kemi 25 klube nën ombrellën tonë dhe mund të them se ky vit ka qenë vit i shqiptarëve. Pjesa dërmuese e klubeve tona kanë avancuar duke u ngritur një ligë më lart”, përfundon Skënder Thaçi, kryetar i Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër.

Të zotuar për fitore

Vetëdijesimin e tyre se “duhet” hyrë në ligën e parë e tregon edhe fakti se tri lojërat e fundit i kemi fituar duke pësuar vetëm një gol (3:0, 5:0 dhe 2:1). Pra i kemi dhenë 10 gola dhe po ashtu nuk jemi ndëshkuar me asnjë karton. Kjo na ka ndihmuar definitivisht”, shprehet Hyseni për albinfo.ch