Lajme
Zvicër: Stuhia e fundjavës la një të lënduar e shumë dëme materiale
Një stuhi e fuqishme që përfshiu Zvicrën të dielën pasdite shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe la një burrë të plagosur rëndë në kantonin e Bernës, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.
Sipas njoftimit të Policisë së Kantonit të Bernës, burri ishte goditur nga një degë peme që kishte rënë si pasojë e erërave të forta. Ai mori ndihmën e parë nga një ekip ambulance dhe më pas u transportua me helikopterin Rega në spital. Incidenti ishte raportuar në qendrën e operacioneve në orën 15:20.
Brenda një intervali prej tri orësh, nga ora 15:00 deri në 18:15, qendra e emergjencës kishte marrë rreth 150 thirrje që lidheshin me dëmet e shkaktuara nga stuhia në rrëzën jugore të Maleve Jura dhe në zonën Seeland të Bernës. Shumica e tyre raportonin për pemë, degë dhe objekte të tjera të rëna që kishin bllokuar rrugët.
Në qytetin Biel, një pemë kishte rënë mbi një linjë ajrore të transportit publik, duke shkaktuar ndërprerje të shërbimit të autobusëve. Sipas raportimeve nga terreni, rrjeti i linjës ajrore kishte dalë jashtë funksionit. Në Nidau, qytet fqinj me Bielin, ishte mbyllur rruga kryesore, pasi pjesë të një çatie të rrëzuar nga era kishin rënë mbi linjat e autobusëve.
Në plazhin e Bielit, një pemë që ishte rrëzuar kishte dëmtuar skulpturën e lapsit pranë shkollës së mesme një objekt i njohur në atë zonë.
Në Neuchâtel, stuhia kishte ndërprerë festivalin Festi’neuch. Rreth orës 14:45, terreni i festivalit ishte evakuuar për shkak të kushteve ekstreme të motit. Organizatorët më vonë kishin njoftuar anulimin e ngjarjes përpara përfundimit të saj. “Jemi të tronditur, por të lehtësuar që evakuimi funksionoi dhe askush nuk u lëndua rëndë,” kishte deklaruar drejtori i festivalit, Antonin Rousseau. Rreth 14,500 vizitorë ishin pritur të merrnin pjesë të dielën, por shumica ende nuk kishin mbërritur në momentin e ndërprerjes, transmeton albinfo.ch.
Struktura të ndryshme në terrenin e festivalit ishin dëmtuar rëndë. Erërat kishin rrëzuar tendat, kishin përmbysur stenda dhe një mensë, ndërsa dhoma e kontrollit të zërit ishte dëmtuar gjithashtu.
Në Aeroportin e Cyrihut, për shkak të rrezikut nga rrufetë, ishte vendosur një ndalesë 25-minutëshe në fluturime. Katër avionë të planifikuar ishin devijuar përkohësisht drejt aeroportit të Stuttgartit, por më vonë kishin mundur të vazhdonin për në Cyrih. Zëdhënësit kishin raportuar edhe për vonesa dhe anulime të tjera fluturimesh.
Shërbimet meteorologjike kishin regjistruar erëra uragani deri në 140 km/h në Neuchâtel dhe 127 km/h në Grenchen. Qeveria federale kishte paralajmëruar më herët për rrezik të lartë stuhish për pjesën më të madhe të Zvicrës veriore, duke përfshirë edhe zonat e Jura dhe Zvicrën veriperëndimore.
Dëme të mëdha ishin raportuar gjithashtu në kantonet Solothurn dhe Aargau, ku pamjet e lexuesve në mediat lokale tregonin për pemë të rrëzuara, çati të shkatërruara dhe përmbytje, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Protestë në Gjenevë në mbështetje të mobilizimeve në Shqipëri Të martën, më 15 shtator, në orën 19:00, para Hôtel de Ville në Gjenevë, është paralajmëruar... -
Expo Arbëria në Spezzano Albanese: Tri ditë feste për komunitetin arbëresh -
Shaip Morina, një shqiptar nga Kosova në qendër të jetës politike dhe kulturore të Malmö-s -
Zvicër
“Atdheu” në Thun, të rinjtë mësojnë këngën dhe instrumentet shqiptare -
Marigona Qerkezi rikthehet në Zagreb për një gala madhështore të operës
Jeta në Austri
-
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions Një pjesëmarrës nga Salzburgu fitoi 111,5 milionë euro në shorteun e së premtes të EuroMillions, njoftoi... -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili












