Kosova

Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli deklarohet i pafajshëm

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur të mërkurën shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, raporton albinfo.ch.

Në deklarimin e tij, Naim Murseli është shpallur i pafajshëm dhe ka deklaruar se, nëse provohet aktakuza ndaj tij, ai vetë do të kërkojë dënim me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, i akuzuari Granit Plava u mbrojt në heshtje, kurse Kushtrim Kokalla u deklarua i pafajshëm.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues kërkoi që babai i viktimës të lirojë sallën e gjyqit, pasi do të paraqitet si dëshmitar në rastin penal.

Prokurorja e çështjes, Javorka Perlinçeviq, tha në fjalën hyrëse se aktakuza është mbështetur në një numër të madh provash, duke përfshirë dëshmi të ekspertëve, deklarata të dëshmitarëve dhe dëshminë e familjes Ademaj. Ajo theksoi rëndësinë e ekspertizës së Naim Ukës, si dhe të fakteve që kanë dalë nga hetimet.

Avokati i familjes së viktimës, Leutrim Syla, theksoi se procesi gjyqësor do t’i japë përgjigje të gjitha dilemave të ngritura, ndërsa falënderoi Tom Dodajn për pranimin e fajësisë për shitjen e armës së përdorur në vrasje. Edhe përfaqësuesi i familjes, Leonardi Ademaj, shprehu mbështetje të plotë për fjalën hyrëse të Prokurorisë dhe avokatit Syla.

Avokatja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku, deklaroi se mbrojtja ka kërkuar që klienti i saj t’i nënshtrohet ekzaminimit të statusit mendor, por nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria apo Gjykata. Ajo theksoi se ky vlerësim është i nevojshëm për të përcaktuar nëse Murseli është në gjendje të ndjekë procedurat gjyqësore dhe të konsultohet me avokatët e tij. Megjithatë, kryetarja e trupit gjykues tha se një kërkesë e tillë nuk është pranuar zyrtarisht nga ana e saj, raporton albinfo.ch.

Avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj, theksoi se nuk ekziston asnjë provë që vërteton përfshirjen e të mbrojturit të tij në vrasje. Ai shtoi se provat e Prokurorisë mund të ndihmojnë në ndriçimin e mënyrës së vdekjes, por jo në identifikimin e kryerësit.

Ndërkohë, avokati i Granit Plavës, Skënder Gojani, tha se për shkak të gjendjes së rënduar psikike dhe emocionale, klienti i tij nuk do të deklarohet për fajësinë apo pafajësinë e tij për momentin. Ai kritikoi faktin që nuk i është lejuar kontakti me të pandehurin pas marrjes së ekspertizës psikiatrike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi me vlerë rreth 260 mijë euro. Ai dyshohet se e ka planifikuar krimin bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur që ta kryejnë vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove.

Në ditën e vrasjes, sipas Prokurorisë, Murseli kishte blerë një armë me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj për 280 euro. Dodaj tashmë ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burg dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe paraqitjen e provave, ndërsa familja Ademaj ka kërkuar që drejtësia të vendoset sa më shpejt për humbjen e Liridonës, raporton albinfo.ch.