Kosova

Sallahu i LVV-së e sheh si jokushtetuese që e tretë të propozojë qeveri tranzicioni

Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka reaguar ndaj propozimit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për formimin e një qeverie tranzicionale, duke e cilësuar atë si jokushtetuese, transmeton albinfo.ch.

“Është jokushtetuese të propozosh, nga pozicioni i tretë, qeveri tranzicionale! Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër”, ka shkruar Sallahu në një postim në Facebook.

Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Abdixhikut në një konferencë për media, ku bëri të ditur se LDK-ja refuzon ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm dhe, në vend të saj, propozon krijimin e një qeverie tranzitore.

“LDK-ja, duke parë stagnimin katërvjeçar, rrezikimin e aleancave dhe sigurinë nacionale, e vlerëson të pamundur bashkëpunimin me z. Kurti. Por vendi është në një krizë të thellë institucionale. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik dhe një qeveri nacionale të tranzicionit”, deklaroi Abdixhiku, transmeton albinfo.ch.