Lajme

Zvicra tërheq shumë emigrantë, por edhe humb: 60% largohen sërish nga vendi

Rreth 150 000 njerëz emigrojnë në Zvicër çdo vit, por gati 90 000 prej tyre e lënë sërish vendin, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO). Këto shifra tregojnë se pavarësisht jetesës cilësore dhe stabilitetit që ofron, Zvicra përballet me një shkallë të lartë të migrimit të kthimit (transmeton albinfo.ch).

Sipas të dhënave të OKB-së, emigrantët përbëjnë 31 % të popullsisë në Zvicër, duke e renditur atë mes vendeve me përqindjen më të lartë të emigracionit në botë. Por, siç raporton platforma “Swissinfo”, Zvicra shënon edhe një nga shkallët më të larta të emigrimit krahasuar me vendet e BE-së: 54 persona largohen për çdo 100 që emigrojnë, krahasuar me mesataren evropiane prej 34 %.

Arsyet më të zakonshme për largim lidhen me faktorë familjarë, pensionimin jashtë vendit ose vështirësitë profesionale. Mungesa e integrimit, njohja e pamjaftueshme e gjuhëve zyrtare dhe problemet me njohjen e kualifikimeve janë ndër pengesat kryesore për ata që synojnë të vendosen në Zvicër (transmeton albinfo.ch).

Një pjesë e madhe e emigrantëve vijnë nga vendet e BE-së dhe janë shumica e atyre që largohen. Sipas FSO-së, shumica e gjermanëve, francezëve, italianëve dhe portugezëve që emigrojnë nga Zvicra kthehen në vendet e tyre të origjinës. Vetëm gjatë vitit 2023, rreth 75 % e shtetasve nga Gjermania, Franca dhe Italia që u larguan nga Zvicra ishin kthyer në shtëpi, ndërsa kjo përqindje për portugezët ishte edhe më e lartë — afërsisht 87 %.

Swissinfo thekson se mosha luan gjithashtu një rol të rëndësishëm: personat në moshë pensioni kanë më shumë gjasa të kthehen në vendlindje, ndërsa të rinjtë janë më të prirë për lëvizje të vazhdueshme midis vendeve, transmeton albinfo.ch.