Lajme
Zvicër: Abonimet e transportit, me rinovim automatik shkaktojnë shqetësime
Shërbimet që ofrojnë abonime me rinovim automatik – nga transporti publik dhe telefonia celulare, te platformat e transmetimit, aplikacionet e takimeve dhe palestrat – janë bërë një burim shqetësimi në Zvicër. Sipas Federatës Romande të Konsumatorëve (FRC), shumë përdorues përfundojnë të lidhur me kontrata pa e kuptuar apo pa dashje, shpesh për shkak të mungesës së kujtimeve apo kushteve të paqarta të kontratës, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Rasti i një gruaje të moshuar me humbje të rëndë të kujtesës, i raportuar në emisionin “On en parle”, ka tërhequr vëmendje. Ajo vazhdoi të paguante për një abonim gjysmë bilete nga SBB, ndonëse nuk kishte më mundësi të udhëtonte. Edhe pse kishte marrë dy kujtesa nga kompania, abonimi i saj u rinovua automatikisht. SBB, e kontaktuar nga emisioni, u shpreh se në raste të veçanta – si ky – mund të pranohen përjashtime, veçanërisht nëse paraqitet një certifikatë mjekësore.
Aurélie Gigon, shefe e departamentit ligjor të FRC, thekson se “klauzolat e rinovimit automatik janë të vlefshme nëse janë të përcaktuara qartë në kontratë apo në kushtet e përgjithshme, të cilat duhet të jenë të aksesueshme për konsumatorin.” Sipas saj, shumë qytetarë harrojnë t’i anulojnë këto abonime në kohë, dhe për pasojë, detyrohen të vazhdojnë të paguajnë për shërbime që nuk i përdorin më, transmeton albinfo.ch.
Zvicra, ndryshe nga Bashkimi Evropian, nuk e ka të detyrueshme që kompanitë të dërgojnë rikujtues përpara rinovimit të kontratës. Edhe pse disa shërbime, si aplikacionet bankare apo platformat online, përdorin kujtesa automatike, ligji nuk e kërkon këtë.
Në rastet e vështirësive, si lëvizja në një qytet tjetër apo sëmundjet e papritura, kontratat zakonisht nuk përfshijnë klauzola që lehtësojnë ndërprerjen e tyre. Edhe kur ekzistojnë, ato shpesh përfshijnë tarifa për përfundim të parakohshëm – një praktikë e ligjshme në Zvicër, por jo gjithmonë e drejtë sipas kritikëve.
Së fundmi, Parlamenti zviceran ka miratuar një mocion që i kërkon Këshillit Federal të propozojë rregullore për kufizimet që lidhen me anulimet e kontratave. Qëllimi është të parandalohet bllokimi i padrejtë i konsumatorëve në kontrata me kushte të disfavorshme.
FRC më herët ka mbështetur një projektligj për konkurrencën e ndershme, që synonte ta bënte të detyrueshëm dërgimin e një rikujtese përpara rinovimit. Por ligji nuk kaloi, pasi u konsiderua si barrë shtesë për bizneset – një qëndrim që FRC e cilëson befasues, duke pasur parasysh se kujtesat automatike janë tashmë të zakonshme në shumë sisteme.
Për momentin, FRC rekomandon që konsumatorët të lexojnë me kujdes kushtet e kontratës, të kontrollojnë afatet për anulim dhe të mos hezitojnë të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë në rast se ndodhen në situata të vështira. Raste të suksesshme të negocimit ekzistojnë – por mbeten përjashtime, jo rregull, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë Të enjten u vendos ulja e TVSH-së. Qeveria flet për lehtësim - por klientët do të... -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë












