Lajme
Bicikletat elektrike tashmë përbëjnë shumicën në qytetin e Lozanës
Bicikletat elektrike kanë kaluar nivelin prej 50% në Lozanë dhe po zëvendësojnë ato tradicionale.
“Në vitet e fundit, gjatë numërimeve tona kemi pasur mes 25 dhe 33% bicikleta elektrike, por tani kemi kaluar shifrën prej 50%,” deklaroi Florence Germond, zyrtare komunale për mobilitetin, duke cituar një studim të Universitetit të Lozanës.
Krahas tyre, 10% të përdorimit të bicikletave e zënë bicikletat ngarkuese, përfshirë ato familjare që mund të mbajnë deri dy fëmijë. Sipas këtyre të dhënave, aktualisht vetëm rreth 40% e bicikletave janë mekanike, transmeton albinfo.ch.
Rritje prej 15% në qarkullimin me biçikletë
Edhe pse bicikletat tradicionale janë në rënie, numri i përgjithshëm i dy-rrotakëve në Lozanë është në rritje. Të dhënat nga observatorët e mobilitetit tregojnë një rritje prej 15.3% të trafikut ditor me biçikletë ndërmjet viteve 2021 dhe 2023 në pesë pika kyçe të qytetit: Grand-Pont, urat Chauderon dhe Bessières, Rue de Genève dhe Avenue du Chablais.
Pjesa modale e biçikletës në krahasim me mënyrat e tjera të transportit është rritur nga 1.7% në 2015 në 4.3% në 2021. Një përditësim i këtyre të dhënave pritet në vitin 2027.
Zhvillimi teknologjik dhe politikat mbështetëse janë faktorë kyç në këtë trend në rritje. “Përhapja e bicikletave elektrike ka kontribuar në zgjerimin e përdorimit të biçikletave në qytet,” thotë Florence Germond. “Njëkohësisht, ekziston një vullnet i fortë i qytetit për të nxitur lëvizshmërinë aktive, e cila është më e mirë për mjedisin dhe shëndetin.”
Dyfishim i infrastrukturës për biçikleta
Për të përkrahur këtë lëvizje, numri i shtigjeve për biçikleta në Lozanë është dyfishuar nga viti 2010 deri në vitin 2024, duke kaluar nga 65.3 në 131.3 kilometra. “Po e bëjmë më të sigurt dhe më të lehtë përdorimin e biçikletës për të nxitur edhe më shumë qytetarë,” shton Germond.
Gjithashtu, janë instaluar 105 tabela që lejojnë kthimin djathtas në semafor të kuq, vetëm për biçikletat.
Këto përpjekje janë vlerësuar në nivel kombëtar, me qytetin që fitoi çmimin “Bicycle Infrastructure Award 2024” nga shoqata Pro Velo për masat e marra gjatë pandemisë së Covid-19.
Subvencione të reja për biçikleta elektrike
Për të nxitur përdorimin e biçikletave në të gjitha moshat, që nga 1 janari 2024 qyteti ka zgjeruar subvencionet për bicikletat elektrike deri në 45 km/h. Po ashtu, që nga nëntori i kaluar ofrohet një kupon prej 300 frangash për të rinjtë 14-vjeçarë për blerjen e një biçiklete. Deri tani janë shpërndarë rreth 60 subvencione. Lozana synon që deri në vitin 2030, pjesa modale e biçikletës të arrijë në 15%.
Krahasimi me qytete të tjera
Pavarësisht progresit, Zvicra frankofone mbetet prapa pjesës gjermanofone: në vitin 2021, pjesa modale e biçikletës ishte 21% në Basel, 19% në Bernë, 16% në Winterthur dhe 11% në Zyrih.
Për krahasim, në Kopenhagë ky tregues ishte 22% (2021), ndërsa në Amsterdam 32% (2018).
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
RAI Calabria i jep zë identitetit arbëresh përmes dokumentarëve RAI Calabria po vazhdon angazhimin e saj në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe në Itali.... -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin












