Lajme
Tarifat e SHBA-së ndaj Zvicrës, çka duhet të dini
Në vitin 2023, eksportet dominoheshin nga produktet farmaceutike, vitaminat dhe diagnostifikimi. Orët dhe bizhuteritë erdhën në vendin e dytë. Vlera totale e eksportit ishte mbi 48 miliardë në 2023, ndërsa të dhënat provizore për vitin 2024 tregojnë 52.66 miliardë

Tregtia midis Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara është më shumë sesa thjesht mallra. Interesat e të dyja palëve bazohen gjithashtu në turizëm, tregun e punës dhe arsimin. Ndërsa Shtetet e Bashkuara – sipas raporteve ekonomike – janë destinacioni më i madh i eksportit për Konfederatën, Zvicra është e shtata në investimet direkte të SHBA-së. Sipas raportit të Ambasadës Zvicerane në Uashington, eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2023 u dominuan nga produktet farmaceutike, vitaminat dhe mjetet diagnostikuese, me një peshë prej 57%. Orët dhe bizhuteritë dolën në vendin e dytë, me një përqindje prej 20%. Metalet dhe gurët e çmuar zënë 15%, ndërsa makineritë dhe elektronika arrijnë në 8%. Vlera e eksporteve, sërish në vitin 2023, arriti në 48.8 miliardë franga. Të dhënat provizore për vitin 2024 flasin për një rritje në 52.66 miliardë, kur në vitin 2005 ishte “vetëm” 16.33 miliardë, transmeton albinfo.ch.
Sektorët më të mëdhenj të importeve nga Shtetet e Bashkuara në Zvicër janë të njëjtë me eksportet. Edhe këtu ka një rritje që nga viti 2005: nga 6.99 miliardë franga në 14.13 miliardë, sipas të dhënave provizore për vitin 2024. Megjithatë, shifrat kanë ardhur në rënie në tre vitet e fundit, ku vëllimi kishte arritur në 15.19 miliardë në vitin 2022. Prandaj, suficiti tregtar me SHBA-në po rritet.
Megjithatë, sektori i shërbimeve është më i rëndësishëm për Konfederatën. Në këtë sektor, Shtetet e Bashkuara janë partneri më i rëndësishëm tregtar, thuhet edhe në raportin ekonomik. Sipas shifrave të vitit 2022, tregtia dypalëshe arrin në 70.9 miliardë franga. Ky sektor përfshin udhëtimet, financat dhe teknologjinë. Në vitin 2022, në këtë kontekst u regjistrua një deficit historik prej 21 miliardë frangash, transmeton tutje albinfo.ch.
Për SHBA-në, Zvicra luan një rol shumë të rëndësishëm si investitor i drejtpërdrejtë. Në vitin 2022, ajo shpenzoi 307.2 miliardë dollarë (rreth 271.3 miliardë franga me kursin aktual të këmbimit), duke e vendosur atë në vendin e shtatë në përgjithësi. Investitorët zviceranë punësojnë rreth gjysmë milioni njerëz në tregun amerikan dhe paguajnë pagat më të larta në krahasim me lojtarët e tjerë të huaj.
Uashingtoni është gjithashtu i interesuar për modelin arsimor zviceran. Në këtë kuptim, ka një bashkëpunim për formimin profesional, me kompanitë zvicerane që ofrojnë programe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas modelit të Konfederatës.
Nga ana tjetër, qytetarët amerikanë sjellin rritje të turizmit në Zvicër. Në një sektor që arriti një rekord në vitin 2023 me pothuajse 42 milionë fjetje, tre milionë prej tyre ishin nga amerikanët.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Qeveria e Kosovës nga një korriku subvencionon policat e sigurimit për mërgimtarët Qeveria e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro për të mbuluar kostot e policës së sigurimit...
-
Oficeri i FSK-së, diplomon në Akademinë e Mbrojtjes në Kroaci
-
30 Vjet me Filarmoninë e Vjenës, Shkëlzen Doli: Një udhëtim i jashtëzakonshëm muzikor
-
“Lulëkuqet” nga Berna ftojnë gratë shqiptare t’i bashkohen korit të tyre
-
Bazel
Riola Morina emërohet asistente në Universitetin e Bazelit
Jeta në Austri
-
Austri: Frikë nga turizmi lakuriq nga Zvicra Qyteti i Bregenzit në Austri po përgatitet të zyrtarizojë një zonë për larje nudo në bregun...
-
Austri: Një projekt i ri pilot synon mësimin e gjuhës gjermane fëmijëve migrantë në kopsht
-
Trenat e rinj me dy kate nisin operimin në Austri
-
Raporti: 400 super të pasur zotërojnë 37% të pasurisë financiare të Austrisë
-
Pse po rriten çmimet e transportit në Vjenë dhe për sa?