Kosova
Pjesëmarrje masive e votuesve në Konsullatën e Kosovës në Cyrih
Në pikën e votimit në Cyrih po pritet gjatë në radhë. Mbretëron një atmosferë miqësore, pothuaj festive, në mesin e atyre që po presin për të votuar
Radha, mbi njëqind metra e gjatë, para ndërtesës me flamurin e Kosovës, sot ishte tregues, edhe për të painformuarit, banorët e kësaj lagjeje të Cyrihut, se në këtë hapësirë po ndodhte diçka jo e përditshme. Këtu, në Konsullatën e Republikës së Kosovës po mbaheshin zgjedhjet parlamentare të Kosovës, për herë të parë në historinë e shkurtë të shtetit të Kosovës, në këtë mënyrë, në godina të përfaqësive diplomatike.
Pritja në radhë, edhe pse mund të zgjasë deri një orë, përballohet mirë, me një vetëdisiplinë shembullore, invalidëve dhe të moshuarve u jepet përparësi nga vetë pritësit. Në përgjithësi mbretëron një atmosferë miqësore, pothuaj festive, në mesin e atyre që po presin. Kundërshtitë politike, pakënaqësitë e njërit a tjetrit nuk kanë vend këtu: ato lihen vetëm për në kutitë e votimit, ku secili e jep votën për kandidatët dhe partinë e preferuar.
Votimi në ndërtesën e konsullatës zhvillohet në dy hapësira. Votuesit janë të ndarë mbi bazë të shkronjës së parë të mbiemrit të tyre, prandaj aty këtu ndodh ndonjë ngatërrim i vogël i sallës, katit ku ata duhet të votojnë.
Në përgjithësi, sipas anëtarëve të Komisionit Zgjedhor në këtë pikë votimi, gjithçka është duke rrjedhur mirë dhe sipas parashikimeve. Ata janë të kënaqur edhe me pjesëmarrjen masive të qytetarëve, gjë që duket edhe nga kolona e gjatë e atyre që vazhdojnë të presin para ndërtesë së Konsullatës së Republikës së Kosovës. Kjo ishte të paktën gjendja rreth orës 10.30 kur ne vizituam këtë pikë.
Ndryshe, sot, më 8 shkurt është ditë votimi në të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës. Në Zvicër, krahas Cyrihut, ku është përqendruar numri më i madh i shtetasve të Kosovës, po votohet edhe në Ambasadën e Kosovës në Bernë dhe në Konsullatën e Kosovës, në Gjenevë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 11:00 të ditës së sotme, 08.02.2025, në ambasada dhe konsullata kanë votuar 4 mijë e 390 qytetarë me të drejtë vote ose 21.60 për qind.
Të drejtë vote sipas KQZ-së kanë 20 mijë e 324 votues të cilët janë regjistruar për të votuar në përfaqësinë diplomatike.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Brajan Gruda e zgjedh Gjermaninë, përpara Shqipërisë Talenti shqiptar është përfshirë në listën e parë të selektorit Jürgen Klopp për ndeshjet e ardhshme... -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje” -
Dënohet me 15 vjet burg studenti që sulmoi me thikë fëmijët në Cyrih
Jeta në Austri
-
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, tubime janë paralajmëruar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe... -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions














