Kosova
Për herë të parë, mërgimtarët votojnë nga atje ku jetojnë
Për herë të parë, përfaqësitë diplomatike të Kosovës shndërrohen në qendra të votimit për zgjedhjet parlamentare.
Mërgata e Kosovës do të votojë në përfaqësitë diplomatike në vendet ku jeton të shtunën, më 8 shkurt, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në territorin e Kosovës. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, bëri të ditur se votimi i mërgatës në përfaqësitë diplomatike po bëhet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës. Kështu për një ditë përfaqësitë diplomatike të Kosovës shëndërrohen në qendra të votimit për të pritur shtetasit e këtij vendi që jetojnë jashtë Kosovës dhe që kanë të drejtë vote. Në përfaqësitë diplomatike do të votojnë ata të cilët janë regjistruar paraprakisht. Votimi nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës organizohet në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Mbi 20 mijë shtetas të Kosovës, të cilët gjatë regjistrimit paraprak kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi, do të mund të votojnë ditën e shtunë nga ora shtatë e mengjesit deri në orën nëntëmbëdhjetë.
Hera e parë e votimit në përfaqësitë diplomatike
“Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike, të cilat janë të vendosura në shtete të ndryshme të botës. Procesi i votimit do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme”, tha zëdhënësi Elezi.
Sipas tij, vetëm në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë ditën e shtunë më 8 shkurt. Sipas një rregulloreje të të KQZ-së për regjistrimin dhe votim jashtë Kosovës, qytetarët identifikohen përmes dokumentit identifikues të lëshuar nga Republika e Kosovës, siç janë: letërnjoftim, pasaportë ose patenta e shoferit. Periudha e regjistrimit të qytetarëve jashtë Kosovës ishte 120 ditë nga gushti deri në dhjetor të vitit 2024.
Sa mërgimtarë janë regjistruar për votim?
Për të votuar jashtë Kosovës janë regjistruar rreth 105.000 shtetas, prej të cilëve 20.324 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga 30 përfaqësitë diplomatike. Rreth 17.000 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotime në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërsa rreth 60,000 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotime në një nga kutitë postare të KQZ-së të hapura jashtë Kosovës.
Të angazhuar për të ndihmuar procesin e votimit jashtë Kosovës janë 200 anëtarë të emëruar nga KQZ. Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, garojnë njëzet e tetë forca politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare si dhe një kandidat i pavarur. Të drejtë vote kanë rreth dy milionë votues.
KQZ, njoftoi se tashmë janë shtypur edhe fletëvotimet me një numër total prej 1.752.650 fletëvotime, numër ky më i vogël sesa numri i votuesve. Numri më i vogël i fletëvotimeve është për faktin që në të gjitha zgjedhjet e mëparshme dalja e qytetarëve në zgjedhje nuk ishte me shumë se 50% e votuesve me të drejtë vote./ DW
E-Diaspora
-
KQZ numëron mbi 96 për qind të votave me postë Kanë mbetur edhe tetë kuti për t’u numëruar nga votimi me postë, ndërsa procesi po vazhdon... -
Dalin detaje të reja për aksidentin fatal ku humbi jetën 37-vjeçari shqiptar në Zvicër -
Numërohen mbi 58 për qind e votave me postë, Vetëvendosje kryeson me mbi 70 për qind -
Poloni
Blerta Krasniqi doktoron në Poloni në fushën e Logopedisë -
Kusari-Lila: “SHE LEADS 2026”, një platformë që fuqizon gruan në ekonomi
Jeta në Austri
-
Austria bie dakord për rregulla të reja për vetëvrasjen e asistuar Austria planifikon rregulla të reja për vdekjen e asistuar, duke balancuar autonominë e pacientit, mbrojtjet ligjore... -
Mbyllet procesi i votimit në Vjenë: Votuan 907 qytetarë -
Përfundon procesi i votimit në qendrat diplomatike të Kosovës në Evropë -
Procesi i votimit në Ambasadën e Kosovës në Austri, i rregullt dhe pa pengesa -
Alarm në Vjenë: Shumë mace bien nga dritaret, paralajmërohen dënime të larta










