Lajme
Bojkotimi i blerjeve në Kroaci shkakton pothuajse 50 për qind më pak qarkullim
Shitjet në Kroaci ranë më 24 janar pas një bojkoti mbarëkombëtar të blerjeve, në shenjë proteste për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe inflacionit të lartë në këtë shtet ballkanik, treguan shifrat zyrtare.
Protesta, që u nxit nga grupet e konsumatorëve, synoi rritjen e presionit ndaj shitësve me pakicë që ata i fajësojnë për rritjen e inflacionit.
Thirrja për bojkot u shpërnda nëpër rrjetet sociale përmes së cilës iu bë thirrje kroatëve që të “mos blejnë asgjë”.
Deri në orën 11:00, dyqanet kishin lëshuar 40 për qind më pak fatura krahasuar me periudhën e njëjtë të premten e kaluar, tha përmes një njoftimi administrata tatimore e shtetit.
Qarkullimi i përgjithshëm ishte 47 për qind më i ulët krahasuar me javën e kaluar, shtoi kjo administratë.
Rreth mesditës, vetëm disa konsumatorë po blinin në një supermarket në qendër të Zagrebit, ku zakonisht është i mbushur me njerëz gjatë ditës, raportoi AFP-ja.
“Shitësit nuk do të dëmtohen financiarisht, por ky është një mesazh i rëndësishëm simbolik se rritja e çmimeve duhet të ndalet”, tha për AFP-në, Danko Horvat, qytetar nga Zagrebi.
Grupet e konsumatorëve u shprehën të kënaqur me përgjigjen e publikut.
Bojkoti tronditi shitësit, tha Josip Kelemen, nga grupi për mbrojtjen e konsumatorëve “Halo, inspektore”, që bëri thirrje për protestë.
“Njerëzit ndihen të mashtruar”, tha Kelemen. “Edhe ata që janë të pasur na kanë mbështetur, edhe ata ndihen njësoj”.
Bojkoti po ashtu është mbështetur nga partitë opozitare, sindikatat e tregtisë, disa persona të njohur si dhe nga dy ministra.
Raportimet e mediave lokale dhe postimet në rrjetet sociale kanë shfaqur dyqane të zbrazura në mbarë Kroacinë.
Bojkotimi i së premtes është mesazh i rëndësishëm nga qytetarët që do të merret parasysh, tha kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, raportoi transmetuesi publik, HRT, më 24 janar.
“Është një mesazh i rëndësishëm nga qytetarët që ata monitorojnë dhe krahasojnë çmimet dhe vlerësojnë se disa nga këto çmime janë të papranueshme krahasuar me produktet e ngjashme apo të njëjta që janë jashtë vendit. Në ditët e sotme, teknologjia na lejon që me lehtësi të krahasojmë çmimet e produkteve me çmimet në vendet tjera. Mesazhi i qytetarëve është i rëndësishëm dhe do të merret parasysh kur do të përcaktohen masat për kufizimet administrative të çmimeve për disa produkte, masa që Qeveria do t’i miratojë javën e ardhshme”, tha Pllenkoviq gjatë një mbledhjeje të Qeverisë.
Sipas ekspertëve, inflacioni në Kroaci gjerësisht është nxitur nga sektori i fryrë publik i shtetit, nga norma e lartë e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar – norma më e lartë në Bashkimin Evropian – si dhe nga popullsia e Kroacisë që po plaket e po tkurret.
Në dhjetor të vitit të kaluar, inflacioni vjetor në Kroaci arriti në 4.5 për qind – më i larti në Eurozonë, ku mesatarja e inflacionit është 2.4 për qind.
Sipas të dhënave zyrtare, paga mesatare neto në Kroaci në nëntor ishte 1.366 euro.
Grupet e konsumatorëve janë ankuar vazhdimisht se në Kroaci çmimet janë rritur vazhdimisht që kur shteti miratoi euron si monedhë të saj në janar të vitit 2023./ REL
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nga familja në shërbim të qytetit: çifti shqiptar zgjidhet në Këshillin Komunal të Yverdon-les-Bains Angazhimi i shqiptarëve në jetën publike të Zvicrës po vazhdon të forcohet edhe në nivel lokal.... -
Nesër në Bernë: Ejani në manifestimin “Kurora e Lirisë” -
Vjenë
Vjenë: Nis regjistrimi i nxënësve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2026/2027 -
Slloveni
Ganimet Shala, e vetmja shqiptare që kandidon për deputete në Slloveni -
Bau Investment Schweiz AG zgjeron portofolin me një nga projektet rezidenciale më të larta në Effretikon
Jeta në Austri
-
Vjenë
Vjenë: Nis regjistrimi i nxënësve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2026/2027 Afati i aplikimit për prindërit shqiptarë në shkollat publike austriake është i hapur deri më 31... -
Vjenë: Ndryshim i rregullave të parkingut, ministria del me njoftim -
Ortopedi shqiptar Dr.Leonard Ndue, në shërbim të mijëra pacientëve në Vjenë -
Martesat dhe divorcet shënuan rënie në Austri gjatë vitit 2025 -
Austri
Nuk u vlerësua nga juria, por kënga e Sidrit Vokshit bëhet hit ne Austri












