Muzikë
SH.K.A. “Ilirët” : 30 vjet trashëgimi dhe folklor në Lozanë
Kur tre breza takohen për të ruajtur kujtesën kulturore shqiptare
Një trashëgimi që vazhdon
Për tre dekada të plota, Shoqata Kulturo-Artistike “Ilirët”, e themeluar në Lozanë, ka shërbyer si një urë e fuqishme mes traditave të së kaluarës dhe sfidave të ruajtjes së identitetit në diasporë. Themeluar në vitin 1994 nga Gani Fazliu, i ndjeri Sefedin Asllani dhe Meta Ramadani, në bashkëpunim me Ilir Bytyqin, Florim Krasniqin, Bajram Kukaj, Zana Ukshini dhe artdashës të tjerë, kjo shoqatë kishte për qëllim dhe mision ruajtjen e traditave të lashta përmes vallëzimit, muzikës dhe legjendave popullore. Ajo është shndërruar në një pikë referimi për diasporën në Lozanë dhe një lidhje të fuqishme me Kosovën.
“Ishte për fëmijët tanë. Donim që ata të rriteshin duke njohur rrënjet e tyre, edhe pse larg tokës sonë,” shpjegon Gani Fazliu, me një shikim plot emocion. Përmes aktiviteteve të ansamblit, si provat e përjavshme dhe pjesëmarrja në koncerte, ata kanë ruajtur këngët dhe vallet tradicionale, duke krijuar një mjedis ku fëmijët mësojnë historinë dhe vlerat e trashëgimisë shqiptare në mënyrë të gjallë dhe të përditshme. Të ruash këtë projekt për tre dekada, duke mbledhur 70 anëtarë të ndarë në tre breza, nuk është aspak e lehtë. Kjo kërkon kohë, energji dhe mbi të gjitha, një vullnet kolektiv që nuk shuhet kurrë.
Për të festuar këtë përvjetor, në Lozanë u organizua një koncert i jashtëzakonshëm. Salla ishte plot e përplot; familjarë, miq dhe kureshtarë kishin mbërritur shumë kohë para hapjes për të festuar këtë ngjarje unike.
Në skenë, valltarët e veshur me kostume të shkëlqyeshme i udhëtuan spektatorët në një udhëtim kulturor dhe emocional. Meloditë e çiftelive, këngët nostalgjike dhe vallet dinamike përshkruan legjenda, festa tradicionale dhe rrëfime historike.
Por përtej performancave, ishte energjia kolektive ajo që la më shumë përshypje.
“Edhe pas skene, të rinjtë dhe më të moshuarit nuk ndalonin së vallzuari. Ishte sikur skena dhe prapaskena të bashkoheshin në një festë të vetme,” tregon një vullnetar me plot emocion.
Nëse fëmijët shkëlqejnë në skenë, është falë prindërve, shtyllave të kësaj trashëgimie kulturore. Ata marrin pjesë në prova, përpunojnë kostumet, organizojnë evente dhe mbi të gjitha, frymëzojnë fëmijët e tyre me krenari dhe pasion.
“Çdo provë, çdo koncert është një mënyrë për t’iu thënë: ‘Kjo është pjesë e jotja,”rrëfen një prind me emocion.
Për këta prindër, folklori është gjithashtu një lidhje personale me historinë e tyre. Duke parë fëmijët e tyre të vallëzojnë, ata rikujtojnë meloditë e fëmijërisë së tyre, festat e fshatit dhe kujtimet e një vendi të largët, por gjithmonë të pranishëm në zemrat e tyre.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte alternimi i brezave në skenë. Fëmijët, me gëzimin e tyre ngjitës, vallëzonin krah të moshuarve, gardianë të vërtetë të kujtesës kulturore.
Ilir Bytyqi, kryetar i shoqatës për më shumë se dy dekada dhe udhëheqës artistik që nga fillimi, thotë:
“Çdo të premte në mbrëmje, ne mbledhim tre breza për të vallëzuar, kënduar dhe krijuar së bashku. Është më shumë se një grup. Është një familje që ruan dhe transmeton identitetin tonë kulturor, duke krijuar një urë të gjallë mes së shkuarës dhe së ardhmes. Ky bashkim ndihmon që traditat të mbeten të freskëta dhe të gjalla për brezat e ardhshme.”
Kjo trashëgimi, e dukshme në çdo hap të vallës, është thelbësore për të mbajtur gjallë identitetin kulturor shqiptar brenda diasporës.
Suksesi i kësaj mbrëmjeje ishte gjithashtu falë energjisë së Fatime Kalimashit, prezantuese dhe këngëtare, e cila arriti të drejtojë fjalimet, të motivojë grupet dhe të këndojë me shkëlqim. Gjithmonë me buzëqeshje, ajo mishëroi një energi bashkuese, si në skenë ashtu edhe pas saj, duke mbështetur pjesëmarrësit me përkushtim të jashtëzakonshëm.
Fjalimet e Gani Fazliut dhe Ilir Bytyqit rikujtuan sfidat e fillimeve të thjeshta dhe rrugën e madhe të përshkuar. Angazhimi i tyre i pashterur dhe besimi në komunitet bën të mundur që Shoqata Kulturo-artistike “Ilirët” të ngrihet edhe në rang ambasadori kulturor, duke përfaqësuar kulturën shqiptare në festivale ndërkombëtare.
Përtej performancave artistike, ky koncert ishte një akt i reziliencës kulturore. Vallet dhe këngët nuk janë thjesht tradita, por akte të kujtesës kolektive. Për anëtarët e ansamblit, ato mundësojnë transmetimin e historive, vlerave dhe një ndjenje përkatësie ndaj një kulture të pasur dhe të gjallë.
“Të vallëzosh do të thotë të tregosh një histori. Dhe të tregosh një histori, do të thotë të mos lejojësh që harresa të vendoset,” përmbledhin koreografët Valentina Krasniqi dhe Blend Mustafa.
30 vjetori i ansamblit folklorik “Ilirët” nuk është vetëm një homazh ndaj së shkuarës, por një festim i jetës dhe identitetit kulturor shqiptar. Në një sallë plotë, në skenë dhe në prapaskenë, folklori tejkaloi brezat për të shndërruar në një forcë kolektive, emocionale dhe të përjetshme.
Ndërsa mbrëmja përfundoi mes duartrokitjeve të gjata, një siguri mbetet: kultura shqiptare, e mbajtur nga pasionantë të pashterur, do të vazhdojë të këndojë dhe të vallëzojë përmes brezave, duke frymëzuar gjeneratat e ardhshme që ta ruajnë dhe pasurojnë këtë trashëgimi të paçmuar. Le të jemi të gjithë pjesë e kësaj force që bashkon të kaluarën me të ardhmen.
E-Diaspora
-
127 fluturime direkte në një javë mes Prishtinës dhe Gjermanisë Ambasadori Faruk Ajeti: Lidhja mes dy vendeve është shumë më tepër se një udhëtim drejt vendlindjes.... -
Mërgimtarët vazhdojnë të vijnë në Kosovë, pa pritje të gjata në kufij -
Londër
Me plisa në kokë dhe me ushqime tradicionale, kadetët e FSK-së prezantojnë Kosovën në Britani -
Kishte ardhur nga Italia për pushime, sot i jepet lamtumira e fundit -
Kasami: Diaspora është partner strategjik për zhvillimin e Tetovës
Jeta në Austri
-
25% e fëmijëve gjermanë që jetojnë në Austri humbasin një vit shkollor Një e katërta e fëmijëve të vendosur në klasat speciale mbështetëse të gjuhës gjermane në Austri... -
Rita Ora emocionon Vjenën, shpërthen në lot teksa flet për rrënjët nga Kosova -
Austri
Rita Ora elektrizoi skenën në Vjenë me hitet e saj botërore -
Euro drejt ndryshimit, BQE prezanton modelet e reja të kartëmonedhave -
11-vjeçari Triumf Lupçi shkëlqen në arenën ndërkombëtare të pianos, ftohet të performojë në Mozarthaus të Vjenës
















